04 Dhjetor 2022

Prizreni diskuton për zhvillimin e turizmit rural dhe trashëgimisë shpirtërore

Prizren, 29 shtator - Konferenca e organizuar nga EC Ma Ndryshe me temën “Zhvillimi i turizmit rural dhe trashëgimisë shpirtërore - Një e ardhme e domosdoshme?” është mbajtur të mërkurën  në Kino Lumbardhi në Prizren.

Në këtë aktivitet janë prezantuar edhe rezultatet e projekteve "Hartëzimi i Turizmit Ruralnë Jug të Kosovës" si dhe “Dollama, një pasuri kulturore e Kosovës”, si kontribut i radhës në dokumentimin, mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore të rajonit jug, duke përfshirë komunat: Prizren, Rahovec, Mamushë, Dragash, Suharekë dhe Malishevë.

Dy projektet e EC-it janë ideuar në atë mënyrë që të rrisin ndërgjegjësimin e institucioneve vendore dhe qendrore për konceptin ende të pazhvilluar dhe të pa eksploruar tërësisht të turizmit rural në njërën anë, dhe atë të promovimit të trashëgimisë shpirtërore në anën tjetër, si faktor të qëndrueshëm që ofrojnë edukim dhe zhvillim të qëndrueshëm të komuniteteve lokale.

Projekti "Hartëzimi i Turizmit Rural në Jug të Kosovës" ka synuar dokumentimin dhe hartëzimin e aseteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore me potencial turistik rural, që janë të përfshira në platformën e turizmit rural “Kosova Rural Tourism”.

Ndërsa, projekti “Dollama, një pasuri kulturore e Kosovës” është vazhdimësi e përpjekjeve të EC në mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, duke synuar më saktësisht ruajtjen e zanatit të punimit të dollamave dhe promovimit e transferimit të njohurive përmes trajnimeve të grave dhe vajzave të komuniteteve me prejardhje të ndryshme etnike nga rajoni jugor i Kosovës.

Në këtë konferencë janë diskutuar mundësitë, potencialet dhe nevoja e promovimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, me përfaqësues të institucioneve, profesionistët nga fusha e trashëgimisë kulturore dhe turizmit, përfaqësuesit e organizatave vendore dhe ndërkombëtare, bizneseve e mediave.

Drejtori ekzekutiv i EC-it, Valon Xhabali ka bërë të ditur se Platforma që synon promovimin e turizmit rural prezanton pasuritë kulturore, natyrore e shërbimet. Po ashtu ka deklaruar se me synimin për ruajtjen e kultivimin e trashëgimisë shpirtërore, janë aftësuar 24 gra për punimin e dollamave.

Në panelin e parë të konferencës, është trajtuar rëndësia e njohjes, dokumentimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si potenciale të zhvillimit të turizmit rural.

Lumturije Geci nga Departamenti i Turizmit në MINT ka thënë se lansimi i kësaj platforme do të ndikojë në zhvillimin e mëtutjeshëm të turizmit, jo vetëm në rajonin jugor por edhe më gjerë.

Linda Çavdarbasha, zëvendësministre në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka thënë se këso platforma duhet të krijohen edhe prej nivelit qendror, për informimin më të mirë të turistëve dhe vizitorëve.

Adem Morina, drejtor i DKRS-së në Komunën e Prizrenit ka shpjeguar se si qeveria komunale me investime në infrastrukturë përpiqet që të nxisë zhvillimin e turizmit rural.

Halim Gjergjizi nga Shoqata për Promovimin e Turizmit Malor të Kosovës ka tërhequr vëmendjen për nevojën e zbatimit të parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, që deri më tani ka munguar, dhe si rrjedhojë ka pasur edhe degradim të aseteve natyrore të Kosovës.

Ndërkaq në panelin e dytë është diskutuar lidhur me ruajtjen e promovimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore.

Ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku ka thënë se trajnimi për artizanatin e “dollamave” është një formë konkrete e mbrojtjes së pasurisë shpirtërore. Sipas tij institucionet duhet të bëjnë më shumë në këtë aspekt, sikurse edhe sektorët tjerë.  

Lumnije Kadriu, etnologe nga Instituti Albanologjik ka vënë në pah nevojën për dijen e shkathtësitë për krijimin e dollamave përkatësisht rikrijimin e trashëgimisë shpirtërore, derisa antropologia Arbnora Kolgjeraj ka thënë se trashëgimia shpirtërore rrezikon zhdukjen në mungesë të dokumentimit.

Sociologu dhe gazetari, Artan Krasniqi ka propozuar bashkëpunim më të ngushtë mes gazetarëve e ekspertëve në mënyrë që me ndërveprimin e tyre produktet e trashëgimisë shpirtërore të konservohen dhe të promovohen.

Arta Bytyqi, përfaqësuese nga bizneset lokale të veshjeve tradicionale ka pohuar se me qasjen e duhur mund të jetësohet edhe aktiviteti ekonomik, që sjellë dobi të shumanshme për komunitetin. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 dhjetor 2022

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, prezantojnë buxhetin për vitin 2023 para qytetarëve të Komunës së Gjakovës. (Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, Gjakovë, ora 15:00)