26 Tetor 2021

Tregtia e mallrave të G20 arrin nivele të larta në tremujorin e dytë

Vjenë 24 gusht - Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka bërë të ditur se tregtia ndërkombëtare e mallrave të vendeve të G20 shënoi një nivel të ri të lartë në tremujorin e dytë të këtij viti, pas niveleve rekord në tremujorin e parë.

Eksportet e G20 u rritën me 4,1 për qind në tremujor në 4,2 trilionë dollarë në periudhën prill-qershor, ndërsa importet u rritën me 6,4 për qind në 4,3 trilionë dollarë, sipas të dhënave nga OECD.

Shifrat tregojnë një ngadalësim në krahasim me tremujorin e mëparshëm, ku normat ishin 8,6 për qind dhe 8,5 për qind, në periudhën janar-mars.

Rritja e çmimeve të mallrave ishte nxitësi kryesor i rritjes së normës "pasi mbingarkesa në transportin ndërkombëtar dhe çështjet e furnizimit rreth gjysmëpërçuesve shtuan edhe më shumë presionin ndaj çmimit të mallrave të tregtuara".

Më tej theksohet se ekonomitë e G20, të cilat janë më të varura nga eksportet e mallrave parësore, shënuan rritje më të fortë të eksportit në tremujorin e dytë të 2021.

Eksportet e Australisë u rritën 10 për qind, të nxitura nga rritja e shitjeve të drithërave, metaleve dhe qymyrit, ndërsa Brazili regjistroi një rritje prej 29,4 për qind të eksporteve, të udhëhequr nga xehetaria e hekurit dhe soja.

Eksportet e Rusisë u rritën 30,7 për qind, kryesisht duke përfituar nga rritja e çmimeve të energjisë.

OECD nënvizoi se vlerat tregtare në Amerikën e Veriut shënuan nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në periudhën prill-qershor. Eksportet e Kanadasë u rritën me 4,7 për qind, kurse importet u rritën me 3,6 për qind.

Meksika gjithashtu regjistroi një rritje solide nga eksportet dhe importet me 3,3 për qind dhe 5,1 për qind.

Eksportet e SHBA-së shënuan rritje me 6,8 për qind në bazë tremujore, të udhëhequr nga avionët, produktet farmaceutike dhe gjysmëpërçuesit, si dhe nga kërkesa e madhe nga Kanadaja dhe Meksika.

Importet e SHBA-së u rritën me 4,2 për qind, me importe të larta të celularëve, përkundër ngadalësimit të blerjeve të automjeteve.

Tregtia ndërkombëtare e ekonomisë evropiane të G20 shënoi rritje veçanërisht nga avionët dhe produktet bujqësore, si dhe produktet farmaceutikë, të nxitur në veçanti nga kërkesa nga Kina dhe SHBA-ja.

Bashkimi Evropian regjistroi rritje të eksportit prej 2,8 për qind dhe rritje të importit prej 5,7 për qind (Franca 1,3 për qind dhe 2,9 për qind, Gjermania 1,3 për qind dhe 6,3 për qind, dhe Italia 4 për qind dhe 6,4 për qind).

Në Britaninë e Madhe, eksportet u rritën me 12,3 për qind, kurse importet 11,3 për qind në tremujorin e dytë, një ringritje e fuqishme pas ngadalësimit të tremujorit të parë.

Importet u rritën me një ritëm më të shpejtë sesa eksportet në ekonomitë e G20 të Azisë Lindore falë rritjes së çmimeve të mallrave.

"Eksportet e Japonisë dhe Koresë u rritën me 2,7 për qind dhe 2,2 për qind, ndërsa importet u rritën me 7,4 për qind dhe 11,8 për qind, respektivisht, ku tregtia e automjeteve dhe pjesëve ishin nxitësit kryesorë të rritjes, veçanërisht për Korenë", thuhet më tej.

Eksportet kineze shënuan rënie me 2,5 për qind në baza tremujore në periudhën prill-qershor, pas një rritje prej 18,6 për qind në periudhën janar-mars.

Importet e vendit vazhduan me rritje, duke u ngritur me 10,9 për qind nga blerjet e produkteve bujqësore, metaleve dhe gjysmëpërçuesve që mbetën të larta.

Eksportet e Turqisë u rritën me 7,7 për qind, ndërsa importet u rritën me 1,6 për qind gjatë së njëjtës periudhë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Tetor 2021

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-089 për deminimin Humanitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Lëvizja Studentore për Barazi Studim Kritikë Veprim, mban aksion simbolik. (Para Fakultetit Ekonomik, ora 10:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe formon grupin punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Bëhet lasnimi i projektit “Përfshirja e grave në tryezën negociuese në Kosovë”, mbështetur nga Bashkimi Evropian. (Shtëpia e Evropës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton vendimin e Qeverisë për aprovimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Kosmonte Foods”, formon grupin e punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Trepçën, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Mbahet simpoziumi shkencor “Muhaxhirët nëpër vite 1877/78 – 2021”. (Instituti Albanologjik, ora 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve të artit pamor për vitin 2020. (Kabineti i Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ora 13:00)

- Fondacioni Jahjaga organizon lansimin e edicionit të tretë të Revistës ZA që prodhohet nga fondacioni me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë përmes Planit të Tretë Kombëtar të Italisë për Gra, Paqe dhe Siguri. (Libraria Dukagjini në Sheshin “Nënë Tereza”, ora 18:00)