24 Prill 2024

Tregjet evropiane, sërish në krizë

Bruksel, 6 gusht - Tregjet evropiane kanë rënë sërish në mënyrë të ndjeshme, ndërsa kriza e besimit në aftësinë e liderëve të eurozonës për të përballuar problemet po shtohet shumë.

Komisioneri europian, Rehn, tha se mendonte që kjo situatë e tregjeve është plotësisht e justifikueshme dhe e kuptueshme.

Nga mesdita tregjet sikur gjetën paksa stabilitet nga të dhënat e papritura që erdhën prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me stabilizimin deri në njëfarë pike të shifrave të papunësisë.

Por, sipas analistëve, kjo mund të jetë vetëm një situatë e përkohshme. “Kur tregjet shkojnë në një nga këto spirale negative është e vështirë që disa numra apo shifra të mira të bëjnë punë”, ka deklaruar një analist ekonomik.

Një nga faktorët më të rëndësishëm të situatës së rëndë në të cilën ndodhen tregjet është edhe rënia e ndjeshme ekonomike e vendeve të Europës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Rehn, në një deklaratë të tij, tha se gjithsesi tregjet do të qetësohen dhe se nuk duhet nënvleftësuar vullneti politik për të ruajtur dhe stabilizuar monedhën e përbashkët europiane, euro. Ai nënvizoi se masat për të shpëtuar monedhën do të viheshin në zbatim në fillim të shtatorit.

Të premten, kryetari i Komisionit Europian, Barroso, u bëri thirrje vendeve të eurozonës që të aprovonin ndryshimet sa më shpejt që të ishte e mundur dhe të merrnin në konsideratë edhe shtrirjen e mëtejshme të fondit të posaçëm të shpëtimit financiar për vendet në borxh.

Barroso ndërkohë tha edhe se autoritetet ishin duke dështuar në përpjekjet e tyre për të parandaluar përhapjen e krizës, duke qenë se tashmë ajo nuk kishte prekur vetëm vendet në periferi të eurozonës.

Kjo përhapi panik se mos kriza që ka prekur Greqinë dhe Portugalinë deri më tani prek edhe Italinë, që është një vend shumë i madh për të falimentuar dhe shumë i madh edhe për t’u shpëtuar.

Kjo krizë financiare vjen ndërsa pjesa më e madhe e liderëve europianë janë me pushime. Për shkak të krizës më të re në zonën e euros, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, është konsultuar dje me telefon me Presidentin francez, Nicolas Sarkozy, dhe Kryeministrin e Spanjës, José Luis Rodriguez Zapatero.

Këto të dhëna i bëri të ditura kabineti i Presidentit Sarkozy në Paris, pa dhënë detaje të tjera. Presidenti i Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso, ka deklaruar se për shkak të problemeve financiare në Spanjë dhe Itali ka nevojë për debate të reja lidhur me paketën e shpëtimit të euros.

Në një letër dërguar presidentëve dhe kryeministrave të zonës së euros, Barroso ka kërkuar në mënyrë indirekte rritjen e fondit të krizave, i cili aktualisht kap shumën prej 440 miliardë eurosh. Qeveria gjermane e ka hedhur poshtë këtë propozim

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)