29 Mars 2024

Tahiri: Serbia ka njohur vulat doganore të Kosovës

Prishtinë, 7 shtator - “Në raundin e fundit të bisedimeve në Bruksel, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për njohjen reciproke të vulave doganore”.

Kështu është shprehur shefja e ekipit negociues të Kosovës, Edita Tahiri e cila theksoi ndër të tjera se në këto bisedime është njohur vula doganore e Kosovës, që ky vend ka përdorur pas shpalljes së pavarësisë bashkë me emërtimin e vulës doganore që e ka propozuar Serbia.

Në pyetjen se a ka ndonjë dëshmi për pohimin se Serbia ka njohur vulat e Republikës së Kosovës, Tahiri është përgjigjur: “Mund të kërkoni nga negociatori juaj Stefanoviç që t`ua japë tekstin e marrëveshjes dhe do të shihni. Unë medieve tona do t`ua paraqes tekstin, e po presim letrën zyrtare të Cooperit me tekstin zyrtar”, është shprehur Tahiri në një intervistë.

Sipas saj, marrëveshja do të zbatohet në përputhje me rregullat e CEFTA-s, ku shtoi se Qeveria e Kosovës, në pikat 1 e 31 do të ketë përfaqësuesit e vet.

“Pasi të jenë të gatshme palët, do të fillojë zbatimi i marrëveshjes e parimisht është marrë vesh që kjo të bëhet më 10 shtator kur dhe do të fillojë zbatimi i marrëveshjes për tregti të lirë”, vijoi negociatorja për Kosovën.

Në pyetjen se kush do të kontrollojë mallin dhe automjetet, Tahiri është përgjigjur se kontrolli do të kryhet nga institucionet e Qeverisë së Kosovës, policia dhe dogana, por në këtë drejtim shton edhe bashkëpunimin me forcat ndërkombëtare të KFOR-it e EULEX-it.

Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve serbë se është arritur marrëveshja vetëm për vulën dhe se marrëveshja është neutrale ndaj statusit, Tahiri ka thënë se që në takimin e parë është kërkuar që Serbia të njohë vulat ekzistuese në të cilat shkruante “Doganat e Kosovës”.

Ajo deklaron se Stefanoviç ka ofruar opsione të tjera si Vulat e EULEX-it, por përfaqësia e Kosovës nuk e ka pranuar këtë. “Mendoj se Stefanoviç po i frikësohet opinionit në Serbi për ta thënë të vërtetën”, përfundon Tahiri. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)