05 Korrik 2022

SHBA, tregëtia e lirë të krijojë vende të reja pune

Washington, 13 nëntor - Presidenti amerikan Barak Obama u përqëndrua në çështjen e tregëtisë dhe krijimit të vendeve të punës gjatë turneut në Azi. Administrata e tij ka vënë si objektiv hapjen e dy milionë vendeve të reja të punës për amerikanët.

Njëra prej mënyrave përmes së cilës administrata e presidentit Obama shpreson të krijojë vende të reja pune është përfundimi i marrëveshjes për tregëti të lirë me Korenë e Jugut, e cila gjatë vizitës së Presidentit nuk arriti të nënshkruhej dhe marrëveshjeve me vendet e tjera të Azi-Paqësorit.

Kompania Ellicot Dredges në Baltimore prodhon paisje për dragat, anijet që përdoren për thellimin e lumenjve ose porteve dhe mbështet tregëtinë e lirë.

“Ellicot është një kompani e cila u ndërtua nga tregëtia. Ne kemi ndërtuar të gjitha dragat që janë përdorur për hapjen e Kanalit të Panamasë dhe që nga ajo kohë ne kemi qenë të interesuar për tregëtinë.”

Presidenti i kompanisë Peter Bowe thotë se kompania Ellicot duhet të kërkojë mundësi të reja kudo në botë ku ka kërkesa për draga.

“Një dragë si kjo javën tjetër do të eksportohet në Meksikë për kontrollin e përmbytjeve. Kjo tjetra do të dërgohet në Brazil për një minierë alumini, kurse ajo tjetra do të eksportohet në Nigeri për t’u përdorur në një minierë rëre.”

Zoti Bowe thotë se Shtetet e Bashkuara  duhet të miratojnë marrëveshjen për tregëti të lirë me Korenë e Jugut dhe me vendet e tjera. Miratimi i marrëveshjes do të eliminonte tarifat e importit ndaj dragave të kompanisë së tij që arrijnë në 8 përqind.  Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë nënshkruar marrëveshjen në vitin 2007, por ajo nuk u miratua nga kongresi amerikan për shkak të kundërshtimeve nga industria e mishit dhe industria e prodhimit të makinave. Ka shqetësime se Shtetet e Bashkuara po mbeten pas në këtë drejtim.

Një numër gjithnjë e më i madh i vendeve aziatike po nënshkruajnë marrëveshje dy palëshe mbi tregëtinë e lirë.

Në tetor, Bashkimi Evropian nënshkroi marrëveshjen mbi tregëtinë e lirë me Korenë e Jugut e cila do të hyjë në fuqi në korrik të vitit të ardhshëm.

Zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit thonë se është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të jenë të sukseshme në krijimin e lidhjeve të forta ekonomike me Korenë e Jugut dhe vendet e tjera të Azisë.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton, ishte në Malajzi në fillim të nëntorit,  pas takimit me udhëheqësit e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore.

“Është befasuese për disa njerëz se Shtetet e Bashkuara bëjnë më shumë tregëti me vendet e ASEAN-it sesa me vendet e tjera të Azisë.”

Shtëpia e Bardhë thotë se gjatë vizitës së presidentit Obama në Indi, kompanitë indiane dhe kompanitë amerikane kanë diskutuar ose nënshkruar marrëveshje me vlerë prej 15 miliarëd dollarësh që do të mbështesin krijimin e më shumë se 50 mijë vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara.

Daniel Ikenson nga Instituti Cato thotë se po krijohet një situatë e volitshme në Uashington për nënshkrimin e marrëveshjeve të tregëtisë së lirë.

“Disa anëtarë të kongresit dhe disa zëra brenda administratës po thonë se ne kemi mbetur mbrapa, prandaj ne duhet të miratojmë marrëveshjen me Korenë e Jugut.”

Analistët thonë se avantazhi i republikanëve në zgjedhjet e fundit për kongres duhet ta lehtësojë miratimin e marrëveshjeve për tregëtinë e lirë, por pengesat do të mbeten.

Kompania për prodhimina e makinave Ford ka publikuar reklama në gazetat e mëdha amerikane duke ngritur zërin kundër marrëveshjes tregëtare me Korenë e Jugut.  Analistët thonë se disa demokratë do të dëshironin që presidenti të fokusohet në marrëveshje të tjera tregëtare e jo në marrveshje të tilla si ajo me Korenë e Jugut e cila  u kundërshtua nga administrata e mëparshme.

Ndërkohë Peter Bowe i kompanisë Ellcott Dredges thotë se tregëtia nuk duhet të jetë çëshjte partiake.

“Unë jam i shqetësuar sepse është e qartë se zgjedhjet pasqyruan shqetësimet për punësimin dhe kongresi duhet ta kuptojë se eksportet krijojnë vende të reja pune dhe marrëveshjet për tregëtinë e lirë të cilat promovojnë eksportet ndihmojnë në krijimin e vendeve të reja të punës, e jo e kundërta.”

Nuk është e qartë nëse tregëtia do të bëhet temë debati pas zgjedhjeve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 korrik 2022

- Mbahet takimi në mes të delegacionit Amerikan të MCC-së dhe atij të Republikës së Kosovës në lidhje me programin Kompakt të MCC-së. (Ndërtesa e Qeverisë, Salla - P38, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton propozim-amendamentet për Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca mban konferencë për media me rastin e përfundimit të sezonit auditues 2021/22 dhe procesit të publikimit të 121 raporteve të auditimit. (Ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Lagjja Arbëria, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Rektori i Universiteti të Prishtinës Naser Sahiti dhe U.D Sekretari i Përgjithshëm, Besfort Krasniqi raportojnë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës mban konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga monitorimi i punës së Kuvendit për gjashtë muajt e parë të sesionit pranveror me fokus në çështjen e mungesës së kuorumit dhe shqyrtimit të projektligjeve. (Zyrat e Institutit Demokratik të Kosovës, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë do të lansoj edicion e 22-të të Përmbledhjes Pulsi Publik. (Salla e konferencave të UNDP-së, ora 11:00)

- UBT nënshkruan dy marrëveshje shumë të rëndësishme me dy universitete nga shteti i Iowa-s, me University of Northern Iowa dhe University of Iowa. (Kampusi i UBT-së, Lipjan, tek QMI, ora 12:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione prezanton draftligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna në Baza Gjinore, nga eksperti Hilmi Jasahri, i angazhuar nga UN Women. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës njoftohet rreth ndërrimit të anëtares së PDK-së Eliza Hoxha me deputetin Abelard Tahiri si dhe diskuton rreth emrave të ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim ambasadorin japonez, Akira Mizutani. (Kabineti i kryetarit, 13:30 - mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)