29 Mars 2024

Rriten normat e interesit për Greqinë në tregjet financiare

Athinë, 27 prill - Greqisë po i afron me shpejtësi afati për të paguar më 19 maj një këst masiv prej 11.3 miliardë dollarësh të borxhit të saj. Normat e interesit për Greqinë në tregjet financiare arritën në 9 përqind sot, pavarësisht nga garancitë e Athinës se do ta paguajë borxhin brenda afatit muajin e ardhshëm.

Kriza e borxheve, e cila kërcënon stabilitetin ekonomik në të gjithë Evropëm dhe përtej saj, u rëndua pas të dhënave të javës së kaluar që tregonin se borxhi i Greqisë ishte 13,6 përqind e prdhimit të përgjithshëm bruto.

Kjo shifër është 0,7 përqind më e lartë seç mendohej më parë. BE-ja dhe FMN-ja po përgatisin një paketë huash prej 60 miliard dollarësh për Athinën. Por analistët thonë se kushtet e rrepta të vendosura nga Gjermania për të kontribuar në ndihmën e ofruar i kanë shtuar dyshimet e huadhënësve.

Gjermania ende nuk ka dhënë konfirmim se do të ofrojë ndihmë financiare për Greqinë. Ministri i Financave Wolfgang Schaeuble tha sot se parlamenti gjerman nuk do ta marrë në shqyrtim kërkesën e Athinës, deri sa të përfundojnë bisedimet e Greqisë me Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar lidhur me masat greke për shkurtimin e shpenzimeve. Ai i bëri komentet pas takimit me ligjvënës të lartë në parlamentin gjerman. Kristian Demokratët po i ushtrojnë presion të fortë qeverisë Merkel për të kërkuar hapa bindëse nga Athina, para miratimit të ndihmës.

“Presim një mesazh nga FMN-ja e cila po negocion me autoritetet greke. Duket se janë negociata të vështira dhe pa dyshim kanë në fokus çështje si pagat në sektorin publik dhe një numër pikash të tjera që duhet të ndryshojnë. Përndryshe nuk mund të flitet për ndryshime strukturale në Greqi dhe së shpejti do të jemi në pikën ku filluam”.

Presioni nga forcat politike i ka bërë autoritetet gjermane të tregohen shumë të rezervuara në premtime. Për momentin, thekson Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle, Gjermania i përmbahet logjikës që ndihma duhet ofruar vetëm pasi Greqia të tregojë se do t’i administrojë me konservatorizëm fondet dhe pas konsolidimit të buxhetit.

“Qeveria gjermane nuk ka vendosur ende, gjë që do të thotë se vendimi mund të ketë kahje të ndryshme. Ministri gjerman i financave e theksoi këtë dhe për arsye të forta. Nëse ofrojmë shumë fonde, Greqia nuk do t’i përmbushë detyrat që i takojnë me rigorozitetin e duhur. Së pari duhet që Greqia të konsolidojë buxhetin. Nuk mund të bëhet praktikë që taksapaguesit evropianë të marrin përsipër barrën e gabimeve të vendeve individuale.”

Greqia kërkoi zyrtarisht ndihmë financiare të premten e kaluar, pasi u bë e qartë që nuk do të arrijë të paguajë këstin e ardhshëm të borxhit masiv.  Athina shpreson që Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar të ofrojnë një paketë ndihmash, në të cilën Gjermania të ketë kontribuuar 8 miliardë euro. Por për momentin autoritetet gjermane duhet të kenë parasysh edhe rezistencën e fortë publike në Gjermani ndaj këtij kontributi. Opozita Social Demokrate gjermane ka kërcënuar të pengojë procesin legjislativ nëse miratohet ndihma për Greqinë.

Ndërkaq në Greqi, protestues të revoltuar nga masat shtrënguese që ka vënë në zbatim qeveria, u mblodhën sot në portin e Pireut për të shprehur kundërshtimin e tyre.

Protestuesit shprehin zemërim edhe ndaj Bashkimit Evropian dhe FMN-së, të cilët i akuzojnë se me fondet që japin ndihmojnë shtresën më të pasur të vendit, ndërkohë që taksojnë krahun punëtor dhe shtresat më të varfëra. Sindikatat kanë organizuar një seri grevash gjatë javëve të fundit në shenjë proteste ndaj masave që synojnë shkurtimin e shpenzimeve qeveritare dhe pensioneve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)