27 Shtator 2022

Qeveria ndalon eksportin e produkteve të drurit si lëndë djegëse

Prishtinë, 20 shtator - Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka aprovuar gjashtë vendime.

Është miratuar vendimi për ndarje të mjeteve buxhetore në vlerë prej 19 milionë eurove, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, në kuadër të masës 3.7 - Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike.

Mjetet e ndara do të përdoren për subvencionimin e energjisë elektrike për konsumatorët fundorë, me qëllim të uljes së ndikimit të tarifave të energjisë, e cila do të reflektohet në faturat e konsumatorëve.

Po ashtu, në kuadër të masës 3.7 - Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, janë ndarë 6 milionë euro, me qëllim subvencionimin e zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndalimin e eksportit dhe ri-eksportit të produkteve të drurit si lëndë djegëse.

Ky ndalim është i përkohshëm dhe në përputhje me Tarifën e Integruar të Kosovës (TARIK) të vitit 2022.

U aprovua edhe vendimi për dyfishimin e pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për muajin shtator 2022, në kuadër të zbatimit të masës 3.2- Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Me vendim të Qeverisë, janë shpallur me interes të veçantë publik pronat e paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve infrastrukturore për interes publik” në zonat kadastrale: Bërnjak dhe Jasenovik i Epërm në Komunën e Zubin Potokut.

Po ashtu, është miratuar plotësimi i vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.01/85 të datës 29 qershor 2022, lidhur me afatin e regjistrimit të automjeteve me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, që do të vazhdojë deri më 31 tetor 2022.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 shtator 2022

 - Ministria e Mbrojtjes dhe FSK organizon Konferencën Vjetore Ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë së Kosovës me përkrahjen e zyres se Presidentes dhe parnerëve ndërkombëtar organizon Konferencën e parë Rajonale “Energjia & Gratë”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton Projektligjin për Sigurinë Kibernetike, Projektligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

 - Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile publikojnë raportin “Shkatërrimi ekologjik – Koha të veprojmë”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit, Agjencia për Informim dhe Privatësi mban konferencë kryetarët e Gjykatave si dhe Prokurorët e Prokurorive të Republikës së Kosovës. (Hotel Emerald, ora 10:15)

- Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë shënon Ditën Botërore të Turizmit, në bashkëpunim me Unionin e Turizmit të Kosovës dhe me përkrahjen e Projektit për Zhvillimin e Sektorit Privat (PPSE). (Parku Arkeologjik Ulpiana, ora 11:00)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton mbikëqyrjen e zbatimit të Rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performances të ndërmarrjes publike KOSTT SH.A. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Këshilli i Prindërve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri”, Prishtinë organizon një protestë për të shprehur shqetësimet lidhur me prolongimin e fillimit të mësimit për vitin akademik 2022/2023. (Shkolla fillore "Naim Frashëri" në Prishtinë, ora 12:10)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie lidhur me grevën në sektorin publik. (Selia qendrore e LDK-së, ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon sallonin e radhes me temë “Dhuna online ndaj grave në politikë: Çfarë masa mund të ndërmarrim?”. (Libraria Dukagjini, ora 17:00)

- KFOR i udhëhequr nga NATO do të zhvillojë stërvitjen “Golden Sabre”. (Zona stërvitore të Camp Novo Selo)