29 Mars 2024

Përmirësohet klima e biznesit në SHBA

Washington, 17 janar - Dhoma amerikane e Tregtisë thotë se klima e biznesit në ekonominë më të madhe të botës është përmirësuar.

Në analizën e parë të vitit të ri, grupi parashikon se ekonomia amerikane do të zgjerohet me më shumë se tre përqind në vitin 2011 ndërsa kompanitë shtojnë vendet e punës.

Por Dhoma thotë se optimizmi i saj kufizohet nga një numër shqetësimesh – që nga regulloret e shumta e deri tek rritja e shpejtë e borxhit.

Dhoma amerikane e Tregëtisë thotë se 2011 ka filluar mbarë. Kongresi ra dakort kohët e fundit të zgjasë shkurtimin e taksave, konsumatorët duken të gatshëm të shpenzojnë përsëri dhe fitimet e kompanive po shtohen.

Por megjithë këtë pamje të përmirësuar, presidenti i Dhomës Tom Donohue tha se rimëkëmbja mbetet e brishtë dhe jo e njëtrajtshme.

“Nuk ka diskutim se rezultatet e zgjedhjeve të nëntorit, paketa e taksave, përparimi në marrëveshjen e tregtisë me Korenë dhe toni i ri që dëgjojmë nga Shtëpia e Bardhë kanë zgjidhur disa nga shqetësimet imediate të komunitetit të biznesit. Megjithatë pasiguritë mes kompanive, huadhënësve dhe investitorëve ende ekzistojnë”.

Zoti Donohue thotë se tregu i shtëpive dhe sektori i ndërtimeve mbeten të dobëta dhe rritja e çmimit të naftës mund të rrisë inflacionin.

Edhe nëse sektori privat shton dy milionë e gjysmë vende pune këtë vit, siç parashikon Dhoma e Tregtisë, zoti Donohue thotë se papunësia do të mbetet kërcënim i lartë.

“Gati 27 milionë amerikanë janë ose të papunë ose punojnë pak dhe kërkojnë të punësohen. Le të supozojmë se krijojmë gati dy milionë e gjysmë vende pune këtë vit. Sado i mirë të jetë ky lamj, ai do ta ulte nivelin e papunësisë vetëm gati një përqind”.

Për të nxitur rritjen e vendeve të punës dhe eksportet amerikane, Dhoma po u bën thirrje ligjvënësve të mbështesin marrëveshjet e papërfunduara tregtare me Korenë e Jugut, Panamanë dhe Kolumbinë. Ajo po i kërkon gjithashtu Kongresit ta marrë më seriozisht pakësimin e borxhit masiv të vendit.

“Duhet të bëjmë atë që duhet në të mirë të brezave të ardhshëm dhe ekonomisë sonë duke filluar me përpjekje më serioze për të shkurtuar shpenzimet, dhe për ta sjellë defiçitin qeveritar dhe borxhin nën kontroll”.

Një çështje tjetër e rëndësishme për lobin e fuqishëm të biznesit është ajo që lobi e cilëson si një zgjerim i paparë i aktivitetit rregullator. Megjithë fitimet rekord, zoti Donohue thotë se firmat e mëdha po tregohen të rezervuara në punësime të reja, pasi janë të pasigurta për rregulloret e reja dhe kompleksitetin e kodit të taksave.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)