25 Prill 2024

Miratohet projektligji për Tregtinë e Mallrave Strategjike

Prishtinë, 2 korrik - Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi janë miratuar Projektligjet për Tregtinë e Mallrave Strategjike; për Markat Tregtare; për Inspektoratin Policor të Kosovës dhe një varg vendimesh nga fushë veprimtaria ligjore dhe kushtetuese e qeverisë.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka përkujtuar se javën e ardhshme do të zhvillohet takimi plenar i Qeverisë së Republikës së Kosovës me Komisionin Evropian për procesin e Stabilizim Asocimit, që është një edhe një rast i mirë për të evidentuar progresin e shënuar në Kosovë.

Kryeministri Thaçi ka përshëndetur hapjen e Zyrës së Qeverisë së Republikës së Kosovë në veri të Mitrovicës, në të cilën do të ofrojnë shërbimet e veta Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Kjo zyrë do të ofrojë shërbime për të gjithë qytetarët e kësaj ane dhe do të ndihmojë integrimin e tyre në shoqërinë dhe institucionet kosovare.

Duke përshëndetur angazhimin e të gjithëve në ridraftimin e Ligjit për Prokurim Publik, kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar që brenda kësaj jave, të gjitha ministrit të përfundojnë komentet dhe sugjerimet e tyre në këtë Ligj, në mënyrë që javën e ardhshme të aprovohet në qeveri dhe të procedohet në Kuvendin e Kosovës. “Ligji i ri do të sigurojë efikasiteti dhe transparencë të shfrytëzimit të fondeve publike në Kosovë”, ka theksuar kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri Thaçi, në ditën e 2 korrikut, ditës e shpalljes së deklaratës së pavarësisë, ka vlerësuar se kjo është një datë e rëndësishme në përpjekjet e popullit tonë për realizimin e aspiratave për pavarësi. Me këtë rast, ka theksuar kryeministri Hashim Thaçi, në emër të Qeverisë dëshiroj të shpreh konsideratën dhe respektin për këtë datë dhe për të gjithë bartësit e kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike.

Projektligji për Tregtinë e Mallrave Strategjike është aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ky projektligj rregullon veprimtaritë e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës në fushën e eksportit, importit dhe transitit të mallrave dhe shërbimeve strategjike, si dhe kontrollit, mbikëqyrjes, të drejtat dhe detyrimet e palëve që marrin pjesë në aktivitetet e biznesit nga kjo fushë për përdoruesin e fundit.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Markat Tregtare, që do të rregullojë mbrojtjen e mallrave vendore dhe është në përputhje edhe me Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Autorit.

Është miratuar edhe Projektligji për Inspektoratin Policor të Kosovës. Me këtë projektligj përcaktohen misioni, organizimi, funksionimi, detyrat dhe përgjegjësitë e Inspektoratit Policor të Kosovës, si agjencion i pavarur në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Inspektorati Policor i Kosovës përmes ushtrimit të veprimtarisë së vet dhe në pajtim me këtë ligj, do të sigurojë një polici të përgjegjshme, demokratike dhe transparente.

Në mbledhjen  sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimet për emërimin e anëtarëve të rinj në Bordin e Pavarur për Rishqyrtime. Lista e anëtarëve të propozuar do të shkojë për miratim në Kuvendin e Kosovës. 

Me qëllim të subvencionimit të veprimtarisë bujqësore, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjete për subvencionimin e derivateve të naftës për korrje shirjet e vitit 2010.

Rishikimi i Buxhetit për vitin 2010 i adreson nevojat e shpenzimeve aktuale të Qeverisë, në kuadër të  kufijve tashmë të propozuar. Në mbledhje, Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur që të mos implementojnë asnjë iniciativë të re të shpenzimeve në vitin 2010, e cila nuk është konsistente me rishikimin e buxhetit të aprovuar për  vitin 2010.

Qeveria ka shqyrtuar dhe ka aprovuar propozimin për formimin e grupit punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për themelimin e Qendrës për Studime dhe Hulumtime Gjinore, në kuadër të Agjencisë për Barazi Gjinore.

Qeveria ka marrë vendim që 836 ish-pjesëtarët e TMK-së, që kanë mbetur të pasistemuar dhe pa punë, të ju vazhdohet kompensimi deri në fund të këtij viti në vlerën prej 50% të pagës së tyre bazë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka njoftuar kabinetin qeveritar me zhvillimet në veri të Mitrovicën, me rastin e hapjes së Zyrës së Qeverisë në këtë pjesë të qytetit. Ai ka thënë se disa qindra qytetarë të nacionalitetit serb janë mbledhur duke protestuar kundër hapjes së kësaj zyre dhe kanë provuar të afrohen kësaj zyre, por janë penguar nga Policia e Kosovës. Ministri Rexhepi ka njoftuar se po në këtë kohë ka ndodhur një shpërthim i një granate, larg turmës së protestuesve dhe Zyrës së Qeverisë, dhe në këtë rast janë lënduar së paku 11 persona. Sipas ministrit Rexhepi, situata është nën kontroll, dhe zyra e Qeverisë ka vazhduar të jetë e hapur.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)