29 Mars 2024

Ministri i Tregtisë zotohet për të shtyrë përpara kërkesat e bizneseve

Prishtinë, 28 korrik -Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një konference virtuale me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Vesel Krasniqi, në të cilën bashkë me përfaqësues të bizneseve anëtare të kësaj ode u diskutua për të ardhmen e ekonomisë kosovare pas pandemisë COVID-19, si dhe planifikimet e Qeverisë për mbështetje ndaj sektorit privat.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, theksoi nevojën për miratim të buxhetit dhe projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, mungesa e të cilave po vazhdon të shkaktojë stagnimin e rimëkëmbjes.

Zeka gjithashtu potencoi rëndësinë e investitorëve strategjik dhe investimeve të huaja të cilat janë vitale për të siguruar zhvillimin ekonomik të vendit derisa rekomandoi Ministrin të rishqyrtojë me prioritet aplikacionet e investitorëve strategjik.

Ministri Vesel Krasniqi tha se megjithë dëshirën për lejim të veprimtarive ekonomike, si pasojë e ngritjes së numrit të infektimeve me COVID-19 situata është rënduar dhe ka qenë e domosdoshme që të merren masat e nevojshme.

Ai theksoi se për implementim sa më të mirë të masave janë krijuar udhëzimet administrative në përputhje me rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe se gjithashtu janë krijuar grupe për inspektimin e veprimtarive dhe respektimin e masave mbrojtëse brenda sektorit të gastronomisë.

Ministri Krasniqi gjithashtu shtoi se rishikimi i buxhetit dhe finalizimi projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës janë në fazat finale të procesimit në Kuvend, derisa potencoi se pas miratimit të këtyre projektligjeve brenda një afati të shkurtër kohor do t’i hapet rrugë implementimit të Pakos Emergjente Fiskale dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike.  

Tutje, Ministri gjithashtu foli për çështjen e investimeve strategjike, ku tha se aprovimi i statusit të investitorit strategjik është zvarritur për shkak të vakumeve institucionale, dhe është i dhimbshëm fakti se deri më tani këtë status e gëzojnë vetëm dy kompani, sepse në këtë mënyrë investitorët potencial mund t’i konsiderojnë shtetet fqinje në vend të Kosovës në një kohë kur çdo investim është i nevojshëm.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)