26 Prill 2024

Mbi një mijë biznese shuhen çdo vit në Kosovë

Prishtinë, 2 dhjetor - Rreth një mijë e 300 biznese shuhen çdo vit në Kosovë, si pasojë e politikave të pafavorshme ekonomike, mungesës së mjeteve financiare, normave të larta të interesit në kredi, por edhe ekonomisë joformale.

Kështu thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit. Nga ana tjetër zyrtarët thonë se gjatë vitit regjistrohen edhe mbi shtatë mijë biznese të reja.

Bizneset vendore vazhdojnë të përballen me probleme të mëdha gjatë afarizmit të tyre. Betim Humolli, përfaqësues i një biznesi në Kosovë, thekson se pavarësisht shpirtit ndërmarrës të afaristëve vendorë, problemet me të cilat përballen janë të shumta. “Një prej tyre mbeten kamatat shumë të larta të bankave komerciale që veprojnë në Kosovë, mbi 10 për qind, rreth 12 për qind është mesatarja, janë kamata shumë të larta që e ngufasin ekonominë. Problematikë tjetër është edhe ekonomia joformale”.

Kreu i Agjencisë për regjistrimin e bizneseve në MTI, Mejdi Pllashniku, thotë se gjatë këtij viti janë shuar numër i madhë i bizneseve, por edhe janë regjistruar shumë të reja. “Prej 1 janarit 2010 deri me 30 nëntor 2010 janë regjistruar 7 mijë e 230 biznese, kurse në periudhën e njëjtë janë shuar një mijë e 296 biznese”.

Faktorët që ndikojnë në shuarjen e bizneseve i identifikon Agjencia për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Udhëheqës i kësaj agjencie, Naser Graiçevci, thotë se ndër shkaqet e shuarjes së bizneseve janë ekonomia joformale, por edhe mungesa e financimit. “Janë edhe çështje të konkurrencës joligjore, që kanë ardhur kryesisht nga pjesa e veriut, ku kufijtë kanë qenë të hapur për tregtim të palejueshëm. Janë një mori shkaqesh, por kryesorja është mungesa e financimit. Ju e dini se Kosova është gati i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka financim të programeve të bizneseve për fillim”.

Kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se si pasojë e shuarjes së bizneseve për çdo vit në Kosovë shuhen mbi 2000 vende pune. “Kjo është një ndër fenomenet dhe sinjal i keq për investitorët e huaj. Kjo është si pasojë e mosfunksionalizimit të ekzekutivit të shtetit në tërë territorin e Kosovës, që po krijon joformalitet të madh në biznes, po krijon konkurrencë jolegale dhe po krijon turbulencë në biznes”.

Zyrtarët qeveritarë kanë konfirmuar angazhimin e vazhdueshëm për krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset. Në këtë drejtim, është ulur edhe tatimi në fitim nga 20 në 10 për qind. Megjithatë, Banka Botërore e ka kritikuar Kosovës për ambient të pafavorshëm për biznese, procedura burokratike për fillimin e një biznesi, duke e radhitur atë në vendin e 113-të nga 183 vende të botës.

/RTK/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)