30 Janar 2023

Maqedonia e Veriut fillon negociatat për importin e thëngjillit nga Kosova

Prishtinë, 10 dhjetor - Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli ka pritur në takim ministrin e Ekonomisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi.

Siç njofton Ministria e Ekonomisë e Kosovës, gjatë këtij takimi, ministrat kanë diskutuar rreth bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e energjisë si dhe në përgjithësi rreth krizës energjetike e cila ka kapluar shtetet e Evropës dhe Azisë, me theks edhe mënyrën për të tejkaluar atë me ndikim sa më të ulët në tarifa për konsumatorët dhe ekonominë.

“Gatishmërinë për të thelluar dhe konkretizuar bashkëpunimin në mes të dy vendeve e kanë shprehur të dy ministrat ku ndër të tjera është diskutuar edhe tregu i energjisë i të dy vendeve nga e cila do të përfitonin qytetarët në të dyja anët e kufirit, sidomos sa i përket stabilitetit të furnizimit me energji elektrike”, thuhet në njoftim.

Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, nëpërmjet një shkrimi pas këtij takimi, tha se tashmë kanë filluar negociatat për mundësinë e importit të thëngjillit nga Republika e Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Nga sot ne filluam edhe negociatat për importin e thëngjillit nga Republika e Kosovës, ku paraqitëm edhe një draft version të Memorandumit për Bashkëpunim! Shpresoj që pas shqyrtimit të të gjithë kapaciteteve dhe nevojave të të dyja vendeve të arrijmë deri te një marrëveshje konkrete me çka do të ndikojë drejtpërdrejt në tejkalimin e krizës energjetike në të dy vendet”, shkroi Bekteshi.

Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kompanisë "ESM Maqedoni", dy kompanitë publike të cilat janë prodhuesit kyç të energjisë.

Të dyja palët janë pajtuar që të vazhdojnë takimet edhe në nivel teknik për të gjetur zgjidhje të përbashkët për zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit të energjisë për të dy vendet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 janar 2023

 - Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, takohet me përfaqësues të Komisionit Vlerësues Mjekësor për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)

- Kuvendit Komunal të Rahovecit mban mbledhjen e parë për këtë vit. (Salla e KK-Rahovec, ora 10:00)
    
 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendin të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, C301, ora 11:00)
 
- Komuna e Vushtrrisë organizon ceremoninë e zbulimit të lapidarit të Dëshmorëve të Kombit, Sadri Maksuti e Sadik Malaj. Merr pjesë dhe kryetari i Komunës. Ferit Idrizi. (Fshati Stanoc, magjistralja Prishtinë-Mitrovicë, afër furrës “Evropa”, ora 13:00)
    
- Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, diskuton për Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. (Salla e Asembles Komunale në Pejë, ora 13:00)
    
- Fondacioni Friedrich Ebert në Prishtinë prezanton draft-statutin për “Asociacionin e Komunave në të cilat Komuniteti Serb i Kosovës është Shumicë”, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP). (Hotel Prishtina, ora 13:30)

- Partia Demokratike e Kosovës mban sot konferencë. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 14:00)


- Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj organizon ceremoninë e shpalljes së “Sportistit të Vitit 2022”. (Teatri “Adriana” në Ferizaj, ora 17:00)