26 Janar 2022

Kosova me mbi 16 mijë ndërmarrje tregtare

Prishtinë, 30 nëntor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve (ASN) për vitin 2020.

Ky publikim me të dhënat që ofron, synon të paraqesë disa nga treguesit ekonomikë sipas strukturës së veprimtarive ekonomike.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se sipas sektorëve ekonomikë, numri më i madh i ndërmarrjeve i takon: tregtisë me 16 614 ndërmarrje, ose shprehur në përqindje 41.5%; aktiviteteve të shërbimeve të tjera me 7 840  ndërmarrje, ose 19.6%; industrisë përpunuese (prodhimit) me 5 357 ndërmarrje, ose 13.4%; akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimeve me ushqim me 3 915 ndërmarrje, ose 9.8%; ndërtimtarisë me 3 177 ndërmarrje, ose 7.9%. Kurse, aktivitetet e tjera kanë përqindje më të ulët.

Ndërsa, sa i përket punësimit për sektorët ekonomikë, që ishin pjesë e hulumtimit, del se numri total i të punësuarve arrin shifrën 191 021, prej të cilëve sektori i tregtisë përbën rreth 70 867 të punësuar, ose shprehur në përqindje, 37.1%; industria përpunuese (prodhimi) ka 33 841 të punësuar, ose 17.7%; ndërtimtaria ka 21 705 të punësuar, ose 11.4%; akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve të ushqimit ka 15 711 të punësuar, ose 8.2%; aktivitetet e shërbimeve të tjera kanë 12 445 të punësuar, ose 6.5%. Kurse, aktivitetet e tjera kanë përqindje më të ulët.

Karakteristikë tjetër, që vlen të përmendet, është edhe qarkullimi i realizuar nga ndërmarrjet, ku dominon tregtia, me një pjesëmarrje prej 54.5%; industria përpunuese (prodhimi) me 12.9%; ndërtimtaria me 10.6%; furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 7.1%; aktivitetet e shërbimeve të tjera me 5.2%; dhe sektorët e tjerë të veprimtarive ekonomike rezultojnë me një përqindje më të vogël të qarkullimit.

Sa i përket treguesit të pagës mesatare mujore (bruto), ajo sillet rreth 400 Euro në aktivitetet e përfshira në anketë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2022

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancën e radhes. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon homazhe dhe nderime për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi, të rënë në Brestoc me 27 janar 1990. (Brestoc, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancën e jashtëzakonshme në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Komuniteti Bektashian i Kosovës Gjyshata Gjakovë organizon ngjarjen përkujtimore për një vjetorin e kalimit nga jeta të ish-Kryetarit të Komunitetit Bektashian të Kosovës, Baba Mumin Lama si dhe 47 vjetorin e kalimit nga jeta të Baba Musa Himaduna, njëkohësisht rivarrimin e tij në tyrben e baballarëve bektashian në Gjakovë. (Ambientet e Teqesë Bektashiane në Gjakovë pranë “Hani i Haraçisë”, ora 11:00)
 
- Komuna e Rahovecit organizon manifestimin përkujtimor e kulturor për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 11:00)

- Me rastin e 30 vjetorit të Shtëpive-Shkolla, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama së bashku me ekipin e tij, do ta vizitoj Muzeun “Shtëpitë-Shkolla” te familja Hertica, shtëpi këto që u shndërruan në shkolla në periudhën e rezistencës mbarë popullore kundër regjimit serb. (Kodra e Trimave, ora 12:00)

- Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë organizon ngjarjen kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila këtë vit i kushtohet shkrimtarit, veprimtarit politik, laureatit të Çmimit Nobel për Paqe dhe të mbijetuarit të Holokaustit, Elie Wiesel.  (Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, ora 12:00)

- Institutit për Politika Zhvillimore mban konferencën lidhur me situatën energjetike në vend. (Zyret e INDEP, ora 14:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 15:00)