28 Mars 2024

Kosova hap negociatat për Marrëveshjen për Tregti të Lirë me shtetet e EFTA-s

Gjenevë, 2 shtator - Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nëpërmjet ekipit negociator të përbërë dhe udhëhequr nga Zef Dedaj, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm në KIESA, Arjeta Shaqiri Latifi, shefe e kabinetit të Ministres Rozeta Hajdari dhe përfaqësues të tjerë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,

Dogana e Kosovës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, kanë zhvilluar negociata me delegacionin e EFTA-s të kryesuar nga Karin Büchel, Ministre në Sekretariatin Shtetëror për Çështjet Ekonomike të Zvicrës.

Palët negociuse diskutuan mbi tregtinë e mallrave, rregullat e origjinës, lehtësimin e tregtisë, masat sanitare dhe fitosanitare, barrierat teknike në tregti, konkurrencën, mjetet juridike tregtare, çështjet ligjore dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

Ndërsa, investimet, shërbimet dhe prokurimet qeveritare u trajtuan në nivel të krerëve të delegacioneve dhe u pajtuan që po në këtë nivel të diskutohen përsëri në rundin e dytë të negociatave që do të mbahet në Republikën e Kosovës.

Shtetet e EFTA-s mbeten partnerë të rëndësishëm tregtarë të Republikës së Kosovës. Shkëmbimet tregtare me këto vende kanë shënuar vazhdimisht rritje.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, në vitin 2019 eksportet e Kosovës ishin 26.28 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 eksportet u rritën dukshëm, duke shënuar 52.09 milionë euro.

Ndërsa sa i përket importeve nga shtetet EFTA-s, në vitin 2019 vlera e importeve ishte 33,86 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 ishte 35,6 milionë euro, rrjedhimisht një bilanc tregtar pozitiv.

Synimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është zgjerimi i mëtejshëm i prezencës së produkteve të Kosovës në tregjet e EFTA-s, krijimi i një ambienti konkurrues, eliminimi i barrierave tregtare me fokus te veçantë rritjen e eksporteve dhe investimeve.

Diskutimet ishin konstruktive dhe hapën rrugën për përfundimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë reciprokisht të dobishme.

Delegacionet u dakorduan për të mbajtur një raund të dytë të negociatave tregtare në Prishtinë deri në fund të vitit 2022.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)