19 Tetor 2021

Kosova dënon fyerjen e viktimave të krimeve serbe nga zyrtarët e Serbisë

Prishtinë, 5 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë ndaj disa deklaratave publike të zyrtarëve të lartë të Serbisë, të cilët hapur vazhdojnë të shfaqin mungesë të thellë respekti për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, si dhe familjet e tyre, të cilat, qe dy e më shumë dekada, vazhdojnë t’i kërkojnë me dëshpërim të afërmit e tyre të rrëmbyer nga forcat serbe.

Këto deklarata skandaloze, përveç që fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm.

Qeveria e Republikës së Kosovës e kundërshton këtë mendësi politike dhe presim që këtë ta bëjë edhe bashkësia ndërkombëtare, veçmas Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si faktorë të pazëvendësueshëm të ndërtimit të paqes dhe të perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur të punojë me përkushtim për një të ardhme paqësore të rajonit dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë fuqishëm me aleatët perëndimorë për integrimin sa më të shpejtë në familjen e madhe të vendeve të qytetëruara e demokratike euroatlantike, në të cilën nuk ka vend për urrejtje ndaj etnive të tjera.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Tetor 2021

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE Lukas Mandl dhe Udhëheqësja e Delegacionit të Anëtarëve të Parlamentit Evropian Viola von Cramon-Taubadel mbajnë konferencë për shtyp lidhur me për zgjedhjet lokale në Kosovë. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:00)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim publikon raportin "Transparenca dhe llogaridhënia në universitetet publike në Kosovë - Mos - Informimi i Publikut 3". (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Komisioni Evropian do ta publikojë paketën vjetore të zgjerimit, përfshirë Raportet e Vendeve ku do te mbahet konferencë për shtyp nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerimi, Oliver Varhelyi. (Transmetimi në faqen e Zyrës së BE-së në Facebook, ora 17:15)

- Teatri i Prishtinës Dodona shfaq “Bob Vatsoni bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht”. (Teatri Dodona, ora 17:30)

- Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog i dorëzon raportin e Komisionit Evropian Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me ç'rast do të mbajnë edhe një konferencë te përbashkët për shtyp, ora 18:30)