18 Tetor 2021

Kërkohet të zbatohen marrëveshjet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë

Prishtinë, 1 tetor - Në prag të mbledhjes së përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, e paraparë të mbahet nesër ku pritet të nënshkruhen marrëveshje të reja, Instituti GAP, Instituti Riinvest dhe Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve të kaluara tregtare.

Në fillim të vitit 2020, këto organizata kanë publikuar dy studime mbi marrëveshjet tregtare mes dy shteteve, një nga perspektiva e Kosovës me titull “Potenciali tregtar Kosovë-Shqipëri” dhe tjetri nga perspektiva e Shqipërisë  “Dy shtete një ekonomi”.

Rekomandimet e dala nga këto dy studimë përfshijnë pikërisht zbatimin e marrëveshjeve, eliminimin e barrierave dhe shfrytëzimin e potencialeve ekzistuese.

Studimet rekomandojnë mes tjerash ngritjen e një strukture dypalëshe të qëndrueshme, me përfaqësi politike dhe teknike, me mandat të qartë dhe me detyrë monitorimin dhe shpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve, heqja e barrierave dhe ndjekjen e hapave të tjerë drejt integrimit ekonomik; harmonizimin e legjislacionit për taksat dhe akcizat; heqjen e barrierave ekzistuese në kuadër të vendosjes dhe themelimit të biznesit në të dy vendet; krijimin e instrumenteve të përbashkëta (sikurse Fond i Përbashkët Investimi); si dhe plotësimin e vendimit për përdorimin e Portit të Durrësit nga Dogana e Kosovës për eksport dhe jo vetëm për import.

Këto organizata kujtojnë se Shqipëria dhe Kosova janë partnerë të rëndësishëm tregtarë për njëra-tjetrën.

Për Kosovën, Shqipëria zë vendin e parë sa i përket eksporteve dhe vendin e pestë sa i përket importeve.

Shqipëria është e rëndësishme për Kosovën edhe për arsye se më shumë se një e treta e produkteve të tregtuara në Kosovë kalojnë transit përmes saj.

Nga ana tjetër, edhe Kosova është partner i rëndësishëm për Shqipërinë, duke qenë i vetmi vend me të cilin ka suficit tregtar.

 Por, pavarësisht shkëmbimit tregtar në rritje dhe përpjekjeve për thellim të bashkëpunimit ekonomik me anë të marrëveshjeve të shumta, potenciali për rritje të shkëmbimeve tregtare për të dy vendet mbetet i pashfrytëzuar dhe barrierat tregtare janë ende duke penguar integrimin ekonomik midis tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Tetor 2021

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE Lukas Mandl dhe Udhëheqësja e Delegacionit të Anëtarëve të Parlamentit Evropian Viola von Cramon-Taubadel mbajnë konferencë për shtyp lidhur me për zgjedhjet lokale në Kosovë. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:00)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim publikon raportin "Transparenca dhe llogaridhënia në universitetet publike në Kosovë - Mos - Informimi i Publikut 3". (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Komisioni Evropian do ta publikojë paketën vjetore të zgjerimit, përfshirë Raportet e Vendeve ku do te mbahet konferencë për shtyp nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerimi, Oliver Varhelyi. (Transmetimi në faqen e Zyrës së BE-së në Facebook, ora 17:15)

- Teatri i Prishtinës Dodona shfaq “Bob Vatsoni bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht”. (Teatri Dodona, ora 17:30)

- Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog i dorëzon raportin e Komisionit Evropian Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me ç'rast do të mbajnë edhe një konferencë te përbashkët për shtyp, ora 18:30)