27 Prill 2024

KE dhe Kosova diskutojnë çështjet e tregut të brendshëm

Prishtinë, 7 prill - Një spektër i gjerë i temave siç janë: lëvizja e lirë e mallrave, prokurimi publik, të drejtat e pronës intelektuale, politikat e konkurrencës, legjislacioni për kompanitë, lëvizja e kapitalit, shërbimeve financiare, lëvizja e lirë e shërbimeve dhe njerëzve, mbrojtja e konsumatorëve dhe shëndetësia, janë diskutuar gjatë takimit dyditor ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Komisionit Evropian.

Ndjekja e realizimit të konkludimeve të këtij takimi do të kenë ndikim në progresin e Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe do të reflektohen në Raportin e Progresit për vitin 2011.

Takimi i mbajtur ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Komisionit Evropian në Bruksel ka dhënë mundësi të shqyrtohet progresi i Kosovës nga koha e publikimit të raportit të fundit të progresit dhe për identifikimin e hapave që Kosova duhet ndërmarrë për të çuar përpara procesin e përafrimit me BE-në. 

Ky takim ishte pjesë e dialogut të rregullt që mbahet në kuadër të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asocijimit.

Komisioni Evropian për fushën e prokurimit publik ka ngritur shqetësime të mëdha në lidhje me Ligjin e Prokurimit Publik të miratuar vitin e kaluar.

KE-ja ka kërkuar nga autoritetet kosovare të bëjnë ndryshime të ligjit dhe ta bëjnë atë në harmoni me standardet e BE-së, me qëllim të sigurimit të transparencës në procedurat e prokurimit dhe të pavarësisë së zyrtarëve të prokurimit.

Sa i përket lëvizjes së lirë të mallrave, janë diskutuar dhe vlerësuar zhvillimet legjislative dhe kapaciteti administrativ në fushën e standardizimit, metrologjisë, akreditimit, vlerësimit të konformitetit dhe vëzhgimit të tregut.

Gjatë diskutimit është analizuar gjendja aktuale dhe zhvillimet e fundit në fushën e të drejtave autoriale dhe të drejtave të pronës industriale dhe janë adresuar nevojat ekzistuese dhe të ardhshme për asistencë teknike. 

Zhvillimet në fushën e lëvizjes së kapitalit dhe shërbimeve financiare janë prezantuar nga përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës.

Në fushën e konkurrencës, janë diskutuar ndihmat shtetërore dhe politikat kundër karteleve duke i dhënë theks të posaçëm zhvillimeve legjislative dhe të kapacitetit administrativ. Gjithashtu është shqyrtuar progresi në fushën e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Takimi është bashkëkryesuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane dhe nga Drejtorati i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Zgjerim.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)