01 Korrik 2022

Hidhet hapi i parë drejt bashkimit doganor Kosovë-Shqipëri

Prishtinë, 21 qershor - Në mbledhjen e mbajtur në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka nënshkruar dy marrëveshje me homologen nga Shqipëria, Ministren e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.

Marrëveshjet e nënshkruara sot synojnë zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit në mes të të dy vendeve në fushën e marrëdhënieve doganore dhe mirëqenies sociale.

Përkatësisht, marrëveshja e nënshkruar në mes të Ministrit Murati dhe Ministres Ibrahimaj që përkon me fushën e bashkëpunimit doganor, synon krijimin e një grupi të përbashkët pune, i cili do të fokusohet në vlerësimin e faktorëve që ndikojnë në zhvillimin e mundësive për bashkim doganor, përpilimin e planit të veprimit dhe hartimin e një studimi kost-benefit për mundësitë, dhe hapat që duhet të ndërmirren për bashkimin doganor Kosovë-Shqipëri.

Në anën tjetër në këtë mbledhje po ashtu, Ministri Murati dhe Ministrja Ibrahimaj nënshkruan marrëveshje që ndërlidhet me fushën e mbrojtjes sociale e cila synon vendosjen e kornizave administrative për implementimin e Marrëveshjes për Sigurime Shoqërore.

Kjo marrëveshje ka si objektiv kryesor sigurimin e mbrojtjes shoqërore për qytetarët që jetojnë në të dy vendet, duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës, si dhe të realizojnë të drejtën në pension nga fondi i kursimeve pensionale individuale.

 Të dyja këto marrëveshje edhe më tej fuqizojnë bashkëpunimin e suksesshëm e të vazhdueshëm me Republikën e Shqipërisë dhe shtyjnë përpara vizionin e përbashkët për ngritje të mirëqenies së qytetarëve në të dyja vendet.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 korrik 2022 - Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri mban Konferencë për media. (Para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, ora 9:30)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremonin e diplomimit të kadetëve të Gjeneratës 2022 të Akademisë së Mbrojtjes - Qendrës për Studime Universitare të FSK-së “Wesley Clark”. (Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00)

- Nën organizimin e Federatës Sindikale te Sektorit Privat te Kosovës shoqata e autobusëve të Mitrovicës dhe Vushtrrisë do të protestojnë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për mos krijimin e kushteve për punë. (Para Ministrisë së Infrastrukturës, ora 10:00)

- Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale mban konferencën me temën “Ndikimi i ndryshimeve të Kuvendeve Komunale në kualitetin e politikave lokale” ku do të prezantohet hulumtimi mbi pasqyrimin e përbërjes së Kuvendeve Komunale. (Hotel Sirius, nga ora 10:00)

-OJQ AKTIV dhe platforma OPEN organizon prezantimin e rezultateve të hulumtimit “Regjistrimi i popullsisë nga këndvështrimi i komunitetit serb në Kosovës”. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitrovicën e Veriut, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 voton listën e dëshmitareve qe do të ftohen për intervistim si dhe shqyrton CV-te për angazhim të eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)