19 Prill 2024

Hapet zyra e Portit të Durrësit në Kosovë

Prishtinë, 11 mars - Autoriteti Portal i Durrësit ka hapur zyrën në Prishtinë, e cila do të rrisë në mënyrë të ndjeshme qarkullimin e mallrave dhe do të jetë një avokat i biznesit kosovar që është i lidhur shumë ngushtë me portin e Durrësit.

Në hapjen solemne të kësaj zyre të premten, u tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk është i kënaqshëm, andaj hapja e kësaj zyre do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimeve të të dy vendeve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërgjaliu theksoi se ka ardhur koha që bashkëpunimi ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë të dalë nga hija politike dhe në të ardhmen të bëhet një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve të përgjithshme në mes të dy shteteve vëllazërore.

“Pa e dëmtuar marrëdhëniet e shkëlqyera politike, ka ardhur koha që të dy vendet tash të shfrytëzojnë afërsinë e tyre që është unike për Evropën dhe të fillojnë të krijojnë modelin e bashkëpunimit ekonomik, ku këmbimi tregtar për një vit kap shumën modeste prej 65 milionë euro në të dy drejtimet të zëvendësohet me një bashkëpunimit të strukturuar, dhe komplementar, dobiprurës për të dyja palët”, ka thënë Gërgjaliu.

Ai shtoi se dyja vendet duhet t’i heqin barrierat e deritashme, duke gjetur gjuhë të përbashkët në depërtimin e tregut evropian dhe rajonal.

Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka thënë se niveli i marrëdhënieve dypalëshe nuk është në nivelin e duhur, pasi nëse iu referohemi shifrave zyrtare rezulton Shqipëria si partner tregtar i Kosovës, është e shtata në importe.

Ai u ndal edhe te rëndësia e hapjes së Zyrës së Autoritetit Portal të Durrësit në Prishtinë, duke thënë se hapja e kësaj zyre përbën një ngjarje të shënuar në marrëdhënieve të të dy vendeve.

“Hapja e kësaj zyre këtu do të rrisë në mënyrë të ndjeshme qarkullimin e mallrave dhe do të arrijmë atje që edhe nëse produkti nuk rrinë në Shqipëri, por kalon në përmendim dhe tregun evropian, i cili është partneri kryesor i Shqipërisë dhe Kosovës edhe kjo çon në bashkëpunimin dypalësh”, tha ai.

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Portal, Edmond Ndreu ka thënë se qëllimi i krijimit të kësaj zyre në Prishtinë është rritja e nivelit të komunikimit midis portit si biznes dhe biznesit kosovar.

“Një qëllim akoma më fisnik i kësaj zyre do të jetë se tashmë biznesi kosovar do të ketë një avokat të vetin në Prishtinë, i cili është i lidhur shumë ngushtë me portin e Durrësit”, ka thënë Ndreu.

Rruga më e shkurtër e daljes së Kosovës në det është Durrësi, i cili ka një sipërfaqe toke prej 80 hektarësh dhe gjatësi, kalate 2.2 kilometra.

Porti i Durrësit ka një nivel të lartë të sigurisë dhe deri tash nga ana e infrastrukturës janë realizuar rehabilitimi i shesheve, bankave, renovimi i plotë i sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, ndërsa tash fokusi është vënë në ndërtimin e terminalit të ri të trageteve dhe rikonstruksioni i kalatës dhjetë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)