29 Mars 2024

Gjermania ka dyfishuar eksportet e armëve

Paris, 16 mars - Gjatë pesë viteve te fundit Gjermania ka dyfishuar eksportet e armëve. Kështu ajo renditet e treta në botë pas SHBA dhe Rusisë. Sipas të dhënave të Insitutit kërkimor SIPRI (Stockholm International Peace Research Institute) nga viti 2005 deri në vitin 2009 pjesa gjermane në tregun botëror të armëve ka arritur në 11 përqind.

Më shumë se Gjermania eksportojnë vetëm SHBA me 30 përqind dhe Rusia me 23 përqind. Nga viti 2000 deri në vitin 2004 pjesa gjermane në tregun botëror përbënte vetëm gjashtë përqind. Klientë të rëndësishëm të Gjermanisë janë Turqia, Greqia dhe Afrika e Jugut. 

Nisur nga këto fakte Partia Ekologjiste gjermane ka kërkuar të drejton e vetos së parlamentit gjerman (Bundestag) në tregtinë e armëve. Raporti i Institutit suedez tregon se "ne në Gjermani kemi nevojë për kontroll më të madh të armatimeve dhe kritere më të ashpra për eksportin e armëve," thotë kryetarja e partisë Të Gjelbrit, Claudia Roth. Ashtu siç në vendet e tjera dhe në parlamentet e tjera edhe "parlamenti gjerman duhet të marrë më në fund të drejtën e kontrollit të qeverisë në çështjet e eksportit të armëve".

Nënkryetari i fraksionit të Të majtëve, Jan van Aken, e quajti "pikëlluese" ngjitjen gjermane në eksportet e armëve dhe kërkoi ndalimin e eksporteve. Ai tha për gazetën "Frankfurter Rundschau", se në Gjermani "nuk duhet të ketë vende pune, që bazohen në vdekjen e njerëzve diku tjetër».

'Eksporti i pistoletave në shtetet arabe duhet parë me kujdes'

Zëdhënësi për çështjet e politikës së sigurisë të fraksionit socialdemokrat të parlamentit, Rainer Arnold nuk është kaq i ashpër.  «Duhet parë me kujdes", tha ai për të njëjtën gazetë. Ai nuk mendon se "është e dënueshme", që firmat gjermane furnizojnë me armë partnerët e NATO-s. Furnizimi me armë i vendeve të tjera, sipas tij, "është shumë kritik", për shembull eksporti i pistoletave në shtetet arabe duhet parë me kujdes. Megjithatë "ne duam që ato të përdoren në luftën kunder terrorizmit".

Sipas të dhënave të Institutit për studimet paqësore SIPRI (Stockholm International Peace Research Institute) të bëra publike sot të hënën, tregtia e armatimeve në pesë vitet e fundit është rritur në gjithë botën me 22 përqind. Rritje të dukshme ka patur kryesisht tregtia me avionët luftarakë, që janë shumë të shtrenjtë. «Shtetet që kanë mundësitë e duhura kanë bërë porosi në sasi të konsiderueshme. Reagimet e rivalëve nga secili rajon ka qenë që edhe prej andej janë bërë porosi», thotë Paul Holtom, shefi studimor i SIPRI-s për tregtinë e armatimeve.

Blerës i rëndësishëm për industrinë gjermane të armatimeve ka qenë Turqia, ku kanë shkuar 14 përqind e eksporteve gjermane. Greqia ka blerë 13 përqind të armatimeve të eksportuara nga Gjermania, kurse Afrika e Jugut 12 përqind. Instituti suedez nuk ka dhënë shifra për vlerën financiare të armëve të eksportuara.

Eksportet kryesore: nëndetëset dhe automjetet e blinduara

SIPRI ka mbledhur rregullisht të dhëna më të larta se qeveria gjermane për eksportet e armatimeve gjermane, sepse në statistikat e tij instituti përfshin edhe bizneset kompensuese, tregtinë me armatimet e përdorura të ushtrisë gjermane, por edhe "dhuratat".

Eksportet gjermane në pesë vitet e fundit janë rritur kryesisht prej shitjes së nëndetëseve. Anijet luftarake përbëjne 44 përqind të gjithë eksporteve dhe automjetet e blinduara 27 përqind.

Në vitin 2009, Turqia nënshkroi një kontratë për blerjen e pjesëve dhe montimin nën licencë në Turqi të gjashtë nëndetëseve gjermane të klasës U214, vlera e të cilave shkon deri në dy miliardë euro. Greqia porositi katër nëndetëse, por për shkak të borxheve mbi 524 milionë euro, pranoi furnizimin me vetëm tre nëndetëse të prodhuara nën licencë.

SIPRI paralajmëron për rreziqet e garës së armatimeve në zonat e tensionuara si në Lindjen e Afërme, Afrikën e Veriut si dhe të Jugut dhe në Azinë juglindore. Kështu në Amerikën e Jugut, tregtia e armëve është rritur nga viti 2000 deri në vitin 2004 me 150 përqind. Greqia e kërcënuar nga falimentimi shtetëror, ka qenë pesë vitet e fundit blerësi më i madh i armatimeve në botë. SHBA dhe Rusia, si eksportuesit kryesorë të botës kanë realizuar 40 përqind të bizneseve me armë me shitjen e avionëve luftarakë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)