01 Shkurt 2023

Dogana për 5 muaj mbledh 282 milionë euro

Prishtinë, 7 qershor - Drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, është shprehur i bindur se deri në fund të këtij viti Dogana do të kontribuojë në Buxhetin e Kosovës me 830 milionë euro apo 18 për qind më shumë sesa vitin e kaluar.

Ai ka bërë me dije se deri më 1 qershor të këtij viti në të gjitha pikat doganore janë mbledhur 282 milionë euro.

“Dogana e Kosovës edhe këtë vit e ka barrën kryesore për mbushjen e Buxhetit të Kosovës. Sipas planifikimeve tona, presim t’i grumbullojmë 830 milionë euro apo 18 për qind më shumë sesa në vitin 2010”, ka thënë Huruglica në një intervistë për “Epokën e re”.

Ai ka shtuar se Kosova do të fitojë nëse arrihet ndonjë marrëveshje në mes të Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e doganave.

“Deri më një qershor kemi grumbulluar 282 milionë euro ose 34 për qind. Tani kjo shifër mund të duket pak, por deri në fund të këtij muaji presim të arrijmë t’i realizojmë planet rreth 45 për qind. Përvoja 12-vjeçare e të mbledhurave nga doganat e Kosovës ka treguar se për çdo vit në pjesën e parë të vitit nuk realizohet më shumë se 42 për qind e planit”, ka theksuar ai.

Huruglica ka bërë me dije se humbjet nga kontrabanda në veri sillen 20 deri 30 milionë euro në vit. Më tutje, Huruglica ka shtuar se pika doganore në Han të Elezit vazhdon të kontribuojë më së shumti në buxhet për shkak të Portit të Selanikut dhe Turqisë.

Sipas drejtorit të Doganave, përfundimi i autostradës Vërmicë - Merdar do ta bëjë pikën doganore me Shqipërinë më të suksesshmen.

Huruglica ka folur edhe për importin e veturave më të vjetra se tetë vjet. Ai ka thënë se nëse lejohet një gjë e tillë, Buxhetit të Kosovës do t’i derdhen rreth 20 milionë euro në vit.

Sipas tij Dogana e Kosovës këtë vit mbush 12 vjet të ekzistimit të saj. Në fillim Dogana i ka pasur 37 oficerë doganorë, të cilët kanë qenë me përvojë nga doganat e ish-Jugosllavisë. Sot ka 600 punëtorë dhe është institucioni kryesor i mbushjes së Buxhetit të Kosovës.

Dogana ka arritur të zhvillohet paralelisht deri në 80 për qind, sipas standardeve evropiane.  



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 shkurt 2023

- Ndërmarrja Publike Banesore, qiramarrësit, punëtorët e lokaleve dhe qytetarë të tjerë protestojnë për rritjen e çmimit të qirasë për lokalet në Prishtinë.  (Komuna e vjetër e Prishtinës, ora 9:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, formon grupin punues për hartimin e planit të punës së komisionit për vitin 2023. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 9:30)
 
- Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca do të shpalos gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të auditimit: “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012-2021”, si dhe “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga donatorët për vitin 2021”. (Ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, formon grupin punues për hartimin e planit të punës së komisionit për vitin 2023. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 11:30)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)