29 Mars 2024

Nis asfaltimi i rrugës në lagjen “Fidanishtja” me kosto 1.1 milion euro

 Gjilan, 13 korrik - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka përcjellur nga afër punimet në infrastrukturë publike, që janë duke u bërë në lagjen “Fidanishte”, me kosto 1.1 milionë euro, pas përfundimit të infrastrukturës në lagjen “Fitorja”, për të filluar pastaj menjëherë me investimet në lagjen tjetër të Gjilanit të Ri, në lagjen “Monteith”, që do të punohet me standard modern.

 “Sot ka nisur asfaltimi i rrugës kryesore në lagjen “Fidanishte”, për të vazhduar pastaj me rrugët përcjellëse që gjithashtu do të përmbyllen me gjithë infrastrukturën përcjellëse. Në këtë rrugë është bërë tashmë rrjeti i ri i kanalizimit, ujësjellësit, rrjeti i ri kabllor, për ta finalizuar pastaj me asfaltimin që është duke u bërë sot”, ka thënë kryetari Haziri.

Haziri ka njoftuar, po ashtu, se lagjet e Gjilanit të ri janë fokus i investimeve krahas edhe programeve infrastrukturore nëpër fshatrat dhe lagjet e komunës që janë njëkohësisht duke vazhduar me punime.

 “Pas investimeve që janë bërë në lagjen “Fitorja”, ku është investuar me gjithë infrastrukturën nëntokësore, sot jemi në lagjen “Fidanishtja” dhe shumë shpejtë fillojnë punimet edhe në lagjen “Monteith” për ta bërë kompletimin e infrastrukturës në këto tri lagje të qytetit të ri të Gjilanit. Të gjitha programet dhe prioritetet janë duke u realizuar dhe tashmë problemet në infrastrukturë janë kah përfundimi dhe në këtë format është investuar edhe nëpër fshatra dhe lagje tjera, të cilat tashmë qytetarët i shohin në vazhdimësi”, tha Haziri, derisa u kërkoi qytetarëve mirëkuptimin për pengesat që mund t'i kenë gjatë punimeve.

Ai ka thënë se “Fidanishtja” do të jetë lagja më atraktive, jo vetëm për banorët, por edhe për bizneset dhe zhvillimin, derisa ka kërkuar që peshat mbi 3.5 ton, të mos futen nëpër rrugët e qytetit, sepse po krijojnë pengesa dhe vështirësi në komunikacion.

"Investimi i infrastrukturës është duke u bërë nëpër këto lagje dhe projekte në përgjegjësi 100 për qind nga Komuna e Gjilanit dhe buxheti vetanak me qeverinë, kurse investimet i garantojmë për pronarët e tokave që janë pjesë e zhvillimit lokal ekonomik në Komunën tonë", tha ai.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, ka thënë se ky projekt dhe shumë të tjera janë aktive në Gjilan dhe po punohet vazhdimisht që infrastruktura publike të jetë gjithnjë e më e mirë që nga rrjeti i ujësjellësit, kanalizimi, asfaltimet, trotuaret, parqet, gjelbërimi dhe ndriçimi publik, të përcjella edhe me investime të tjera të shumta në këtë drejtim.

Përndryshe, projektet në të cilat Komuna e Gjilanit është duke punuar në këtë vit, janë të shumta dhe kalojnë shifrën e 100 projekteve aktive të cilat monitorohen vazhdimisht deri në përfundimin e tyre, për t'u shfrytëzuar pastaj nga qytetarët.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)