29 Mars 2024

British Airways do të anulojë mijëra fluturime

Londër, 23 gusht - British Airways zbuloi planet e saj për anulimin e mijëra fluturimeve në aeroportin Heathrow për shkak të mungesës në vazhdimësi të personelit dhe problemeve logjistike.

Kompania ajrore do të pezullojë deri në 10 mijë fluturime për dhe nga aeroporti më i madh dhe më i ngarkuar i Britanisë së Madhe deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm, për shkak se përballet me mungesë të stafit, që ka shkaktuar një ndikim negativ në industrinë e aviacionit pas pandemisë së koronavirusit.

"Megjithëse shumica dërrmuese e klientëve tanë do të udhëtojnë sipas planifikimit dhe ne po mbrojmë destinacionet kryesore të pushimeve të gjysmë vitit, do të na duhet të bëjmë disa anulime të mëtejshme deri në fund të tetorit", thuhet në deklaratën e British Airways.

"Përveç kësaj, ne njoftojmë klientët që udhëtojnë me ne gjatë dimrit të këtij viti për disa rregullime në orarin tonë, i cili do të përfshijë konsolidimin e disa prej fluturimeve tona të shkurtra në destinacione me shërbime të shumta", shtohet në deklaratë.

Më shumë se 600 fluturime vajtje-ardhje do të anulohen deri më 29 tetor, ndërsa orari dimëror, i cili do të zgjasë deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm, do të reduktohet me 8 për qind.

Njoftimi i anulimeve u bë pasi Aeroporti Heathrow vazhdoi kufirin ditor prej 100 mijë pasagjerëve me gjashtë javë të tjera dhe i kërkoi kompanive ajrore që t'u shesin më pak bileta klientëve në mënyrë që të menaxhojë ngarkesën e pasagjerëve në terminal.

Gjatë pandemisë së koronavirusit dhe bllokimeve të mëvonshme, mijëra punëtorë të stafit në aeroportet në të gjithë Britaninë e Madhe u lanë të lirë për shkak të kolapsit që kanosi industrinë e aviacionit.

Megjithatë, që nga kthimi i fluturimeve vitin e kaluar, Heathrow dhe një numër aeroportesh ndërkombëtare janë përpjekur të mbajnë numrin e nevojshëm të stafit për të akomoduar flukset në rritje të pasagjerëve, të cilat çuan në radhë të gjata dhe kaos.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)