03 Shkurt 2023

SHBA zgjeron luftën ndaj teknologjisë kineze "të përkrahur nga shteti"

Washington, 6 gusht - Shtetet e Bashkuara janë duke synuar kufizimin e përdorimit të teknologjisë kineze, teksa marrëdhëniet në mes të dy ekonomive më të mëdha në botë vazhdojnë të përkeqësohen.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë më 5 gusht se SHBA-ja do të tentojë të ndalojë shërbimet e disa aplikacioneve kineze, duke i përshkruar të njëjtat si teknologji kineze “të përkrahur nga shteti”, të cilat sipas tij përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe për të dhënat e shtetasve amerikanë.

Pompeo nuk ka hedhur poshtë mundësinë që SHBA-ja të largojë nga lista e aplikacioneve të saj teknologjinë kineze si TikTok dhe WeChat, si dhe mund të ndalojë instalimin e aplikacioneve amerikane në telefonët kinezë.

Komentet e tij kanë ardhur një javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka rritur sulmet e tij ndaj teknologjisë kineze, duke bërë thirrje për ndalim të aplikacionit TikTok në territorin amerikan.

TikTok është në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance. Trump më vonë ka thënë se do ta lejonte gjigantin amerikan, Microsoft që të arrijë marrëveshje për blerje të TikTokut deri më 15 shtator.

Nëse marrëveshja nuk arrihet, ai ka paralajmëruar ndalim të këtij aplikacioni.

Administata Trump ka shtuar në vazhdimësi presionin ndaj Kinës për një varg çështjesh, përfshirë pandeminë me koronavirus, zvogëlimin e të drejtave dhe lirive në Hong Kong, pakënaqësitë tregtare dhe pretendimet e kontestuara të Pekinit për disa territore në Detin Jugor të Kinës.

Uashingtoni ka kritikuar Kinën edhe për abuzim me të drejta të njeriut në rajonin Ksinjang, ku Kina ka dërguar mbi 1 milion myslimanë ujgurë dhe grupe tjera në kampe të internimit apo në burgje.

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Kinën edhe për vjedhje të pronës intelektuale që i ka kushtuar SHBA-së me miliarda dollarë dhe vende të vlefshme pune.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 shkurt 2023  - Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 9:00)

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë falja e tatimit në pronë në vlerën deri 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune, për vitin 2023. (Salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ora 10:00)

- Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve teknik të Sektorit Privat te Kosovës dhe dialogu me qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës. (Zyrët e Sindikatës, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore, si dhe shqyrton listën e kandidatëve për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekuiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 13:30)

- Prezantohet puna e kryer rreth vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara të cilat kanë folur hapur për historitë e tyre të, abuzimeve seksuale, dhunës fizike, dhunës psikike, keqtrajtimeve, ofendimeve dhe diskriminimeve. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:30)

- Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës organizon marsh kundër Asociacionit, dhe në shënim të 53-vjetorit të themelimit të UP-së. (Biblioteka Kombëtare, ora 16:00)