27 Korrik 2021

SHBA ofron 10 milionë dollarë shpërblim për informacione të sulmeve kibernetike

Washington, 16 korrik - Departamenti i Shtetit Amerikan do të ofrojë shpërblime deri në 10 milionë dollarë për informacione që çojnë në identifikimin e cilitdo që merret me veprimtari kibernetike kundër infrastrukturës kritike të SHBA-ve. Shtëpia e Bardhë ka nisur një grup pune për të koordinuar përpjekjet për të ndaluar këto sulme.

Administrata Biden po programon gjithashtu një faqe elektronike të quajtur stopransomware.gov për të ofruar burime publike për t'iu kundërvënë kërcënimit dhe ndërtimit të një qëndrueshmërie më të lartë në rrjete, u tha gazetarëve një zyrtari i lartë i administrates.

Një masë tjetër që u njoftua të enjten për të luftuar sulmet kibernetike vjen nga Rrjeti i Zbatimit të Krimeve Financiare në Departamentin e Thesarit. Ajo do të angazhojë bankat, firmat e teknologjisë dhe aktorë të tjerë në përpjekje më të përqëndruara kundër pastrimit të parave me kriptomonedha dhe gjurmimin më të shpejtë të të ardhurave nga sulmet kibernetike, të cilat paguhen me monedhën virtuale.

Zyrtarët shpresojnë të kapin më shumë pagesa të kërkuara pas sulmeve kibernetike, siç bëri FBI-ja në rikuperimin e shumicës së 4.4 milionë dollarëve shpërblim të paguara nga kompania Colonial Pipeline në muajin maj.

Shpërblimet ofrohen në kuadër të programit të Departamentit të Shtetit Shpërblimet për Drejtësi.

Zyrtari i administratës nuk pranoi të komentonte nëse qeveria amerikane kishte dorë në zhdukjen të martën në internet të REvil, bandës së lidhur me Rusinë e që është përgjegjëse për një sulm kibernetik të zinxhirëve të furnizimit që paralizoi mbi 1.000 organizata globale më 2 korrik duke vënë në shënjestër ofruesin Kaseya të shërbimeve të internetit me bazë në Florida. Operacionet kibernetike mbledhin të dhëna nga rrjetet, të cilat kriminelët i zhbllokojnë kur paguhen.

Ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se REvil mund të ketë vendosur të heqë dorë dhe të rishfaqet më vonë me një emër të ri, siç kanë bërë në të kaluarën.

Një mundësi tjetër është që Presidenti rus Vladimir Putin në të vërtetë të marrë parasysh paralajmërimin e Presidentit Joe Biden se do të ketë pasoja nëse ai nuk frenon kriminelët e sulmeve kibernetike, të cilët gëzojnë një strehë të sigurt në Rusi dhe shtetet aleate.

Kjo duket e pamundur megjithatë, duke pasur parasysh deklaratën e zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov për gazetarët të mërkurën ku ai nuk ishte në dijeni të zhdukjes së faqes REvil.

"Unë nuk e di se cili grup u zhduk dhe ku," tha ai. Ai tha se Kremlini i konsideron krimet kibernetike "të papranueshme" dhe se ato meritojnë dënim, por analistët thonë se ata nuk kanë parë prova të një goditjeje nga Putini.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 Korrik 2021

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 9:45)

- Policia e Republikës së Kosovës organizon ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore të zyrtarëve policorë, e cila iu dedikohet zyrtarëve policorë të rënë në kryerje të detyrës “Heronjve të Kosovës”. (Hapësira e jashtme para objektit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ora 10:00)  

- Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)  

- Instituti për Politika Zhvillimore mban konferencën për medie lidhur me përmbylljen e projektit “Barometri i Rimëkëmbjes – për transparencë dhe llogaridhënie” dhe prezantimin e raportit përfundimtar të zbatimit të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike – Covid-19. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit të performances “Transparenca dhe llogaridhënia në procesin e financimit të organizatave jo-qeveritare”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takoht me kryetarët e Odave të profesionistëve shëndetësor për të diiskutuar për punën dhe sfidat e Odave të profesionistëve shëndetësor. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Blerim Olluri raporton para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)  

- Nën përkujdesin e drejtpëdrejt të Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, shënohet 231-të i themelimit të Teqesë Bektashiane të Gjakovës. (Teqa Bektashiane në Gjakovë, ora 11:00)

- Misioni i OSBE-së në Kosovë do ta prezantojë edicionin e pestë të Raportit vlerësues të të drejtave të komuniteteve. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari raporton para Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me nivelin e zbatimit të ligjit për shoqëritë tregtare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)  

- Organizohet hapja solemne e Dekra Akademie në Gjilan e cila ka hapur dyert e saj për infermierët e licencuar që duan të punojnë në Gjermani. (Tek Rruga e Gjinollëve, nr.83, Gjilan, ora 13:00)

- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë  shqyrton Projektligjin në parim për Mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve, Projektligjin për Mbrojtjen e ajrit nga ndotja, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla 303, ora 14:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës s Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301 ora 15:00)