30 Janar 2023

Mungesa e koordinimit mes institucioneve ka krijuar shpenzime të panevojshme

Prishtinë, 26 maj - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Organizimi dhe menaxhimi i investimeve të teknologjisë së informacionit në institucionet publike”.

Raporti nxjerr përfundimin se mungesa e organizimit dhe koordinimit mes institucioneve publike ka mundësuar zhvillimin e projekteve paralele në fushën e teknologjisë së informacionit si dhe ka krijuar shpenzime të panevojshme.

Në auditim janë përfshirë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, Ministria e Financave me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme me Agjencinë e Regjistrimit Civil, si dhe Komuna e Pejës dhe Komuna e Prizrenit.

Institucionet e Kosovës, gjatë periudhës 2015-2018, kanë shpenzuar rreth 49 milion euro në teknologji të informacionit, mirëpo rezultatet e auditimit tregojnë se institucionet e audituara nuk kanë arritur të sigurojnë qeverisje të mirë në këtë fushë.

Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka arritur të miratoj Strategjinë e Qeverisjes Elektronike e cila është hartuar nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit. Në mungesë të saj,  Qeveria  nuk ka një plan të prioriteteve për investime në fushën e TI-së.

Pasi që menaxhimi i shërbimeve të teknologjisë së informacionit në sektorin publik është i decentralizuar, në nivel të institucioneve apo departamenteve brenda institucionit, ka dyfishim të roleve si dhe këto njësi nuk kanë bashkëpunim mes  veti që ka rezultuar me  investime të panevojshme. 

Për më tepër, nuk ka regjistër të projekteve të TI-së, si në nivel shtetëror apo në nivel të organizatave buxhetore. Mungesa e regjistrit të plotë të shpenzimeve e pamundëson identifikimin e saktë të gjendjes ekzistuese.

Në raport është konstatuar që institucionet publike të audituara kanë hyrë në investime pa bërë identifikimin e nevojave për projekte, pa analiza  të fizibilitetit për zhvillimin e projekteve si dhe pa bërë hulumtim të çmimeve të tregut. Po ashtu, ka mungesë të theksuar të bashkëpunimit ndërmjet ministrive për shfrytëzim më optimal të infrastrukturës së TI-së e cila ka rezultuar me shfrytëzim jo-optimal të pajisjeve të TI-së, menaxhim jo të mirë të shërbimeve, si dhe rritje të shpenzimeve financiare.

Mangësi të ngjashme janë vërejtur edhe në komunat të cilat kanë qenë subjekt i auditimit, duke filluar nga planifikimi strategjik, politikat dhe procedurat e TI-së si dhe në menaxhimin e investimeve në fushën e TI-së.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, përmes një deklarimi publik ka theksuar që rezultatet e auditimit tregojnë nevojën e menjëhershme për përmirësime në organizimin dhe menaxhimin e investimeve në këtë fushë.

Duke marrë parasysh rëndësinë që kanë në nivel vendi organizimi dhe investimet në teknologjinë e informacionit, kemi dhënë një rekomandim me prioritet për Qeverinë e Kosovës, që posaçërisht të adresoj çështjet rreth strategjisë elektronike të teknologjisë së informacionit si dhe të sigurohet koordinim i duhur ndërmjet Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e teknologjisë së informacionit. 

Me qëllim të adresimit të çështjeve të ngritura, Zyra Kombëtare e Auditimit, në këtë raport ka dhënë 17 rekomandime për  institucionet përgjegjëse.

Ky auditim është realizuar për të vlerësuar zhvillimin e qeverisjes së teknologjisë së informacionit dhe menaxhimin e investimeve në këtë fushë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 janar 2023

 - Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, takohet me përfaqësues të Komisionit Vlerësues Mjekësor për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)

- Kuvendit Komunal të Rahovecit mban mbledhjen e parë për këtë vit. (Salla e KK-Rahovec, ora 10:00)
    
 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendin të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, C301, ora 11:00)
 
- Komuna e Vushtrrisë organizon ceremoninë e zbulimit të lapidarit të Dëshmorëve të Kombit, Sadri Maksuti e Sadik Malaj. Merr pjesë dhe kryetari i Komunës. Ferit Idrizi. (Fshati Stanoc, magjistralja Prishtinë-Mitrovicë, afër furrës “Evropa”, ora 13:00)
    
- Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, diskuton për Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. (Salla e Asembles Komunale në Pejë, ora 13:00)
    
- Fondacioni Friedrich Ebert në Prishtinë prezanton draft-statutin për “Asociacionin e Komunave në të cilat Komuniteti Serb i Kosovës është Shumicë”, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP). (Hotel Prishtina, ora 13:30)

- Partia Demokratike e Kosovës mban sot konferencë. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 14:00)


- Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj organizon ceremoninë e shpalljes së “Sportistit të Vitit 2022”. (Teatri “Adriana” në Ferizaj, ora 17:00)