27 Shtator 2022

Mali i Zi, i paralizuar nga sulmet kibernetike

Podgoricë, 12 shtator - Një sulm masiv dhe i vazhdueshëm kibernetik në Mal të Zi, për të cilin zyrtarët fajësojnë hakerët pro-rusë dhe Moskën, është cilësuar nga ekspertët si i paprecedentë në intensitetin dhe shtrirjen e tij.

Ai ka dëmtuar platformat e qeverisë në internet dhe vuri në rrezikshmëri të lartë infrastrukturën jetike të Malit të Zi.

Goditja ishte në vazhdën e një numri incidentesh kibernetike që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt.

Në selinë e qeverisë së Malit të Zi, një vend anëtar i NATO-s, kompjuterët e tavolinës janë të mbyllur, interneti mungon dhe faqet e agjencive shtetërore janë të çaktivizuar.

Ndërprerja vjen në mes të një sulmi masiv kibernetik kundër shtetit të vogël ballkanik, për të cilin zyrtarët thonë se ka shenjat dalluese të hakerëve pro-rusë dhe shërbimeve të sigurisë së Moskës.

Sulmi i koordinuar filloi rreth datës 20 gusht dhe ka dëmtuar platformat e qeverisë në internet, si edhe ka vënë në rrezikshmëri të lartë infrastrukturën jetike, përfshirë sistemin bankar, furnizimin me ujë dhe energjinë elektrike.

Që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt, hakerët kanë vënë në shënjestër disa vende të tjera evropiane, kryesisht anëtarë të NATO-s.

I ulur në tryezën e tij në kryeqytetin Podgoricë, përpara një ekrani kompjuteri të fikur, Ministri i Mbrojtjes Rasko Konjeviç thotë se zyrtarët e qeverisë janë këshilluar të shkëputen nga linja për arsye sigurie.

“Kemi rreth 20 ditë që përballemi me sfida serioze për shkak të sulmit kibernetik dhe i gjithë sistemi shtetëror, sistemi i administratës shtetërore dhe sistemi i shërbimeve ndaj qytetarëve po funksionojnë në një nivel mjaft të kufizuar", thotë ai.

Ekspertët, duke përfshirë një ekip hetuesish të Byrosë Federale të Hetimeve të SHBA, po përpiqen të gjejnë përgjegjësit për sulmin "brutal", shton ai.

"A ka një sfond politik pas këtij sulmi? Personalisht, unë mendoj se po" vazhdon ministri.

Zyrtarët e qeverisë së Malit të Zi besojnë se sulmi ka të ngjarë të jetë kryer nga një bandë hakerësh e lidhur me Rusinë.

Banda kibernetike rusisht-folëse mori përgjegjësinë për të paktën një pjesë të sulmit, duke infektuar shërbimet e qeverisë në internet me një virus të njohur si Kuba.

Ajo funksionon në përgjithësi pa u penguar nga Kremlini, për sa kohë që nuk sulmon vendet mike të Rusisë.

Megjithatë agjencia e Malit të Zi për Sigurinë Kombëtare, fajësoi drejtpërdrejt Rusinë për sulmin.

"Nga intensiteti i sulmit, nga mënyra se si u godit Ministria e Mbrojtjes, dyshimet se një palë e tretë (shtet) mund të jetë pas tij, janë mëse të arsyeshme”, thotë ministri Konjeviç.

Mali i Zi, që dikur konsiderohej një aleat i fortë rus, iu bashkua NATO-s në vitin 2017, pavarësisht kundërshtimit të Kremlinit.

Ai i është bashkuar gjithashtu sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.
Mali i Zi aktualisht drejtohet nga qeveria e përkohshme e drejtuar nga Dritan Abazoviç, e cila ka humbur mbështetjen parlamentare për shkak të marrëveshjeve dhe bashkëpunimit të kryeministrit me Serbinë dhe Kishën Ortodokse Serbe.

Vendi është thellësisht i ndarë midis atyre që po kërkojnë rivendosjen e lidhjeve të ngushta me Serbinë dhe Rusinë, dhe atyre që janë në favor të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Megjithëse lufta me armë zjarri dhe bomba po zhvillohet në Ukrainë, analisti politik Zlatko Vujoviç beson se ajo që po ndodh në Mal të Zi është "diçka e ngjashme ".

"Nuk ka bomba, por ka një tension të madh, një konflikt të madh hibrid, në të cilin janë të ndërlidhura interesat e Rusisë dhe shërbimeve të saj të zbulimit dhe atyre serbe," shpjegon ai.

Edhe vende të tjera të Evropës Lindore që konsiderohen si armiq të Rusisë kohët e fundit kanë pësuar sulme kibernetike.

Objektivat kanë përfshirë rrjete në Moldavi, Slloveni, Bullgari, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri.

Javën e kaluar, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe dëboi diplomatët e saj pas një sulmi kibernetik në korrik për të cilin fajësoi Republikën Islamike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 shtator 2022

 - Ministria e Mbrojtjes dhe FSK organizon Konferencën Vjetore Ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2022”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë së Kosovës me përkrahjen e zyres se Presidentes dhe parnerëve ndërkombëtar organizon Konferencën e parë Rajonale “Energjia & Gratë”. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton Projektligjin për Sigurinë Kibernetike, Projektligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

 - Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile publikojnë raportin “Shkatërrimi ekologjik – Koha të veprojmë”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit, Agjencia për Informim dhe Privatësi mban konferencë kryetarët e Gjykatave si dhe Prokurorët e Prokurorive të Republikës së Kosovës. (Hotel Emerald, ora 10:15)

- Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë shënon Ditën Botërore të Turizmit, në bashkëpunim me Unionin e Turizmit të Kosovës dhe me përkrahjen e Projektit për Zhvillimin e Sektorit Privat (PPSE). (Parku Arkeologjik Ulpiana, ora 11:00)

-  Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti diskuton mbikëqyrjen e zbatimit të Rekomandimeve të Kuvendit lidhur me auditimin e performances të ndërmarrjes publike KOSTT SH.A. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Këshilli i Prindërve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri”, Prishtinë organizon një protestë për të shprehur shqetësimet lidhur me prolongimin e fillimit të mësimit për vitin akademik 2022/2023. (Shkolla fillore "Naim Frashëri" në Prishtinë, ora 12:10)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie lidhur me grevën në sektorin publik. (Selia qendrore e LDK-së, ora 11:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon sallonin e radhes me temë “Dhuna online ndaj grave në politikë: Çfarë masa mund të ndërmarrim?”. (Libraria Dukagjini, ora 17:00)

- KFOR i udhëhequr nga NATO do të zhvillojë stërvitjen “Golden Sabre”. (Zona stërvitore të Camp Novo Selo)