11 Gusht 2022

Lansohet loja 2D “Be in my shoes” e krijuar nga fëmijët me nevoja të veçanta

Prishtinë, 20 nëntor - Këshilli Rinor Kosovar ka bërë sot lansimin e lojës elektronike dydimensionale (2D) “Be in my shoes”, e krijuar nga fëmijët me nevoja të veçanta, si pjesë e projektit "Mos supozo nevojat e mia".

Loja elektronike 2D është bërë me qëllim të identifikimit të nevojave kryesore të fëmijëve me nevoja të veçanta në arsimin fillor në Kosovë dhe adresimin e tyre tek organet kompetente për të mundësuar gjithëpërfshirje arsimore.

Nëpërmjet kësaj loje, janë shkruar shtatë nevoja kryesore të fëmijëve, të cilat janë zbuluar pas intervistimit të rreth 210 fëmijëve nga 50 shkolla të rajoneve të ndryshme të Kosovës.

Koordinatorja e këtij projekti, Rina Gosalci tha se loja është bërë me përjetim të tri shqisave njerëzore.

"Një tjetër karakteristikë e kësaj loje është që ka mekanikë të plotë të kontekstit të niveleve. Domethënë secili nga nivelet mund të përmbushet në një formë mekanike. I përfshinë aktivizimin e tri shqisave përgjatë këtyre niveleve. Kemi shqisën e të pamurit, shqisën e të dëgjuarit dhe të prekurit. Me këtë kemi dashur të ofrojmë një lojë që është e thjeshtë por në të njëjtën kohë përcjellë një mesazh, përmes krijimit të figurave dhe gjithashtu edhe bashkëngjitjes edhe të zërave të ndryshëm në mënyrë që t’u përshtatet nevojave të fëmijëve", tha Gosalci.

Disa nga nevojat e gjetura për të cilat është krijuar edhe kjo lojë elektronike, sipas Gosalcit është nevoja për përfshirje dhe mbështetje në procesin mësimor, nevoja për përdorim të metodave konkrete gjatë orës mësimore, nevoja për shoqëri dhe aktivitete jashtë-shkollore.

Fokusi i kësaj loje është i bazuar në eksperiencë dhe jo në karaktere të lojës ndërsa ka disa nivele, si niveli Labirinti – që vë në pah nevojën për shoqëri dhe infrastrukturë; Ylberi – që vë në pah nevojën për diagnozë të saktë; Pishtari – që vë në pah nevojë për aktivitete jashtëshkollore.

"Be in my shoes" është një fushatë që ka për qëllim ngritjen e ndjeshmërisë tek njerëzit përmes lojës 2D me po të njëjtin emër, të krijuar në bazë të nevojave kryesore të fëmijëve me nevoja të veçanta në arsimin fillor në Kosovë.


Kalendari

Ngjarjet e datës 11 gusht 2022

- Handikos organizon ceremoninë e shpërndarjes së 70 karrocave për personat me aftësi të kufizuara, donacion nga Izraeli, ku do të marrin pjesë ambasadorja e Izraelit, znj. Tammy Ziv, ministrja e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë,  znj. Donika Gërvalla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. (Qendra e Resurseve për Personat me Aftësi të Kufizuara Adresa: Veternik, ora 10:00)

- Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës mban konferencë për media. (Selia qendrore e Vetëvendosjes, ora 11:00)

- Në qytetin e Vushtrrisë organizohet Akademia Verore "Arbën Xhaferi‘’ edicioni i II-të. (Kalaja e Vjetër të Vushtrrisë, ora 17:00)