05 Dhjetor 2022

Kompania Gjermane Contentful me partner të ri në Kosovë

Prishtinë, 14 janar - Një prej kompanive më të avancuara në zhvillim softuerik në Kosovë, Frakton ka bërë të ditur sot një marrëveshje të re partneriteti me kompaninë Gjermane, Contentful. Contentful është kompani lidere në ofrimin e zgjidhjeve për korporata përmes CMS-it të ashtuquajtur “pa kokë” dhe përmes saj ndihmon ndërmarrjet globale të kalojnë nga CMS-ët tradicional në krijimin dhe lansimin më të shpejtë të produkteve dhe shërbimeve digjitale.

Contentful është themeluar në vitin 2013, dhe është listuar nga New York Times si një prej 50 startups në rrugëtim drejt vlerësimit një miliard dollarësh, si dhe është listuar në mesin e top 10 kompanive më të mira për të punuar në Gjermani.

Baza e saj e konsumatorëve përbën mbi 39% kompani nga Fortune 1000, si dhe startup inovativ dhe agjencitë kreative më të mira në botë. Kompanitë e tilla janë Spotify, Urban Outfitters, Red Bull, Jack in the Box, The British Museum, Xoom, Lenovo, Brandless e shumë të tjera, të cilat mbështeten në Contentful për të krijuar, menaxhuar dhe realizuar përmbajtje digjitale në çfarëdo kanali apo platformë.

“Jemi të lumtur që po nisim këtë partneritet me kompaninë Gjermane Contentful, e cila do t’iu mundësojë klientëve tanë të kenë në mes tjerash edhe zgjidhjet më të mira dhe më të modernizuara për menaxhimin e përmbajtjes”, u shpreh Çelik Nimani, Partner dhe Drejtor Ekzekutiv në Frakton. “Korporatat kanë një presion në rritje të vazhdueshme për të krijuar eksperienca të avancuara digjitale për klientët e tyre, por CMS-ët tradicional nuk po arrijnë të mbajnë hapin më të gjitha proceset e zhvillimit softuerik që po ndodhin sot."

"Kjo është arsyeja pse kemi përzgjedhur bashkëpunimin me Contentful dhe arsyeja pse ajo do të jetë zgjidhja e duhur”.

Frakton është kompania e vetme në Kosovë dhe ndër të pakta në rajon, që ka marr statusin zyrtar Contentful Professional Solution Partner.

Në mes tjerash ajo ka arritur që të certifikojë pesë inxhinierë softuerik nga stafi i saj si Contentful Certified Professionals, duke i mundësuar kështu rritjen e kapaciteteve dhe njohurieve profesionale përreth Contentful, për të ofruar shërbime dhe zgjidhje të reja në tregun global.

Për Contentful

Partneriteti i Contentful me Frakton, do të mundësojë që korporatat të kenë më shumë mundësi për të sjellë në jetë produkte dhe eksperienca digjitale me një shpejtësi dhe madhësi shumë më të avancuar krahasuar me CMS-ët tradicional.

Ajo që është unike dhe vlen të theksohet është që, infrastruktura e Contentful unifikon përmbajtjen në një vend, e dërgon atë në çfarëdo platforme digjitale përmes APIs dhe e bën menjëherë të editueshme në një web aplikacion intuitiv.

Në mes tjerash Frakton, veqse ka kompletuar një projekt të tillë, për një kompani tjetër gjigante Gjermane e cila përdorë zgjidhjen për ekipin e saj global që përmbanë më shumë 300 agjentë të shitjes anembanë botës. 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)