07 Tetor 2022

Kompania “Ecolog International” dhuron qindra tabletë për nxënësit kosovarë

Prishtinë, 6 maj - Në mbështetje të mësimit në distancë, Lazim Destani dhe kompania “Ecolog International” kanë vendosur të japin një donacion prej qindra tabletësh për nxënësit kosovarë, të cilët në mungesë të pajisjeve nuk mund të vijojnë mësimin në distancë.

Këta tabletë do të shpërndahen nga kompania “Ecolog” në disa komuna të Republikës së Kosovës dhe pastaj komunat marrin përsipër shpërndarjen e tyre tek nxënësit, në bazë të kritereve të përcaktuara nga komunat.

Në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ministrja Hykmete Bajrami, ka falënderuar Destani dhe kompaninë “Ecolog” për këtë donacion shumë të rëndësishëm për nxënësit e Kosovës, i cili kontribuon direkt në rritjen e shkallës së pjesëmarrjes së nxënësve në mësimin në distancë.

Nga ana e tij, filantropi Lazim Destani, ka falënderuar për bashkëpunim MAShTI-n dhe institucionet tjera relevante, duke u shprehur se “arsimi dhe shkenca janë shtyllat kryesore të një shoqërie.”

Ai ka potencuar se investimet në këta segmentë janë mbështetja më e madhe që mund t’ia bësh një kombi. Z. Destani theksoi se përgjegjësia shoqërore e “Ecolog International” në shumicën e rasteve ka qenë e orientuar drejt të rinjve në përgjithësi dhe nxënësve e studentëve në veçanti.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 tetor 2022 - Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese shqyrton nominimet e kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me përmbushjen e kushteve të parapara me Kushtetutë dhe Ligj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 9:00)

- Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Caritas Zviceran në Kosovë lansojn thirrjen “Projektet Investuese të Diasporës” në kuadër të projektit “Veprimi i Komunave për Riintegrim dhe Diasporë – MARDI”. (Ndërtesën Qeverisë, salla P38, ora 9:30)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi mban konferencë për medie lidhur me qëndrimet dhe vlerësimet për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi. (Holli i Kuvendit të Kosovë, ora 10:00)

- Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë publikojnë përmbledhjen e politikave 'Dispozitat për koston e lejes së lindjes, atësisë dhe pushimit prindëror në Ligjin e Punës', të shkruar nga Dita Dobranja në emër të RrGK-së. (Hotel Sirus, ora 10:00)

- OJQ Aktiv organizon prezantimin e “Udhëzuesin për verifikimin bazë të informacionit mediatic” i cili është i dedikuar kryesisht për komunitetin serb të Kosovës. (Qendra e Energjisë Qytetare në Mitovicën e Veriut, ora 11:00)

- Sekretari Gjeneral i FIBA Andreas Zagklis takohet me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku. (Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës, ora 11:00)