05 Korrik 2022

Identifikimi elektronik dhe digjitalizimi i shërbimeve postare me rëndësi primare

Prishtinë, 20 prill - Sot në Prishtinë u mbajt konferenca e organizuar nga programi ACCESS mbi sigurinë kibernetike, identifikimin elektronik dhe digjitalizimin e shërbimeve postare. Gjatë konferencës u prezentuan aktet nënligjore për e-IDAS (Electronic Identification and Authentication System / Sistemi Elektronik i Identifikimit dhe Autentifikimin) dhe Draft Ligji për Sigurinë e Rrjetit dhe Sistemit të Informacionit (Direktiva NIS), të hartuara këto nga Ministria e Ekonomisë me ndihmën e ekspertëve të ACCESS nga Universiteti i Danubit në Krems të Austrisë.

Draft Ligji për Sigurinë e Rrjetit dhe Sistemit të Informacionit u bazua nga kërkesat ligjore të NIS (Network Information Security) Direktives dhe tani u mbetet institucioneve shtetërore për aprovim dhe zbatim. Ligji për e-IDAS tani më ka hyrë në fuqi, dhe aktet nënligjiore, të prezentuara në konferencë, janë detyrimet e para që dalin nga ky ligj. Të dyja këto, si Direktiva NIS dhe e-IDAS, u cilësuan si një fillim i mbarë për transformimin digjital, sigurinë kibernetike, e-tregtinë dhe e-shërbimet në Kosovë.

Pjesë e kësaj konference po ashtu ishte prezantimi dhe punëtoria mbi Studimin e Fizibilitetit për Informatizimin e Shërbimeve Postare në Postën e Kosovës, i realizuar nga ekspertët e ACCESS nga Universiteti Teknik i Grazit. Në këtë punëtori u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e këtij studimi. U përmend që Posta e Kosovës SH.A. nuk është anëtare e UPU – Unioni Universal Postar apo të tjera si IPG apo EURODIS. Për momentin Posta e Kosovës në trafikun ndërkombëtar punon me qarkore të lëshuar nga UPU. Një sfidë kjo që duhet të zgjidhet deri në prill të vitit 2023. Po ashtu u përmend që Posta e Kosovës duhet të krijojë një strategji të qartë të digjitalizimit se si mund të rrisë besimin e qytetarëve dhe krahas biznesit të përditshëm me letra dhe pako, zinxhiri i vlerës duhet të zgjerohet për të zëvendësuar vëllimet në rënie për shkak të digjitalizimit në progres dhe konkurrencës në treg.

U ritheksua që modernizimi i gjithë infrastrukturës teknike është i domosdoshëm për t'i rikthyer besimin qytetarëve dhe me shërbimet e reja elektronike duke aplikuar standardet evropiane, Posta e Kosovës ka mundësinë të ndërveprojë në Kosovë dhe me vendet evropiane në një rritje profitabile.

Në konferencë ishin prezent përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë.

Projekti ACCESS ka për qëllim të lehtësojë transformimin digjital në sektorin privat dhe publik në Kosovë, financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim, bashkëfinancohet nga qeveria e Kosovës dhe implementohet nga ECIKS.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 korrik 2022

- Mbahet takimi në mes të delegacionit Amerikan të MCC-së dhe atij të Republikës së Kosovës në lidhje me programin Kompakt të MCC-së. (Ndërtesa e Qeverisë, Salla - P38, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton propozim-amendamentet për Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca mban konferencë për media me rastin e përfundimit të sezonit auditues 2021/22 dhe procesit të publikimit të 121 raporteve të auditimit. (Ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Lagjja Arbëria, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Rektori i Universiteti të Prishtinës Naser Sahiti dhe U.D Sekretari i Përgjithshëm, Besfort Krasniqi raportojnë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës mban konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga monitorimi i punës së Kuvendit për gjashtë muajt e parë të sesionit pranveror me fokus në çështjen e mungesës së kuorumit dhe shqyrtimit të projektligjeve. (Zyrat e Institutit Demokratik të Kosovës, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë do të lansoj edicion e 22-të të Përmbledhjes Pulsi Publik. (Salla e konferencave të UNDP-së, ora 11:00)

- UBT nënshkruan dy marrëveshje shumë të rëndësishme me dy universitete nga shteti i Iowa-s, me University of Northern Iowa dhe University of Iowa. (Kampusi i UBT-së, Lipjan, tek QMI, ora 12:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione prezanton draftligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna në Baza Gjinore, nga eksperti Hilmi Jasahri, i angazhuar nga UN Women. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës njoftohet rreth ndërrimit të anëtares së PDK-së Eliza Hoxha me deputetin Abelard Tahiri si dhe diskuton rreth emrave të ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim ambasadorin japonez, Akira Mizutani. (Kabineti i kryetarit, 13:30 - mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)