19 Tetor 2021

Në Samadrexhë të Vushtrrisë po finalizohet palestra e sportit

Prishtinë, 28 maj - Samadrexha e Vushtrrisë shumë shpejt do të ketë palestrën e saj të sporteve. Për këtë, sot Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Kryetarin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Sipas memorandumit, për fazën përmbyllëse të projektit “Ndërtimi i Palestrës së Sporteve në Samadrexhë të Vushtrrisë”, MKRS-ja ka ndarë 200 mijë euro investim.

Po ashtu, ministria do të mbikëqyrë realizimin e projektit, e cila edhe e ka hartuar këtë objekt sportiv.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi theksoi se projekti në fjalë është me interes për qytetarët e Komunës së Vushtrrisë, duke pasur parasysh edhe faktin e traditës sportive që ka Samadrexha me rrethinë.

“Si ministri kemi në plan që të rrisim mbikëqyrjen dhe inspektimet në terren në ato projekte ku ministria po bën investimet e saj nëpër komunat e Kosovës, me qëllim të rritjes së dinamikës së punës sepse në projekte të caktuara po krijohen vonesa në realizimin e punëve”, sqaroi ministrja Dumoshi, duke vënë në pah se MKRS-ja është e interesuar që projektet infrastrukturore të kryhen sipas standardeve dhe në kohën e paraparë.

Ndërsa kryetari Tahiri e falënderoi ministren Dumoshi për mbështetjen e ministrisë për projektet konkrete që janë në dobi të qytetarëve të komunës që ai udhëheq.

Të dy biseduan edhe për projekte tjera nga fusha e kulturës dhe e trashëgimisë që janë në realizim e sipër si dhe për projektet e përbashkëta që priten të kryhen në të ardhmen e afërt.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Tetor 2021

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE Lukas Mandl dhe Udhëheqësja e Delegacionit të Anëtarëve të Parlamentit Evropian Viola von Cramon-Taubadel mbajnë konferencë për shtyp lidhur me për zgjedhjet lokale në Kosovë. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:00)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim publikon raportin "Transparenca dhe llogaridhënia në universitetet publike në Kosovë - Mos - Informimi i Publikut 3". (Swiss Diamond Hotel, ora 11:00)

- Komisioni Evropian do ta publikojë paketën vjetore të zgjerimit, përfshirë Raportet e Vendeve ku do te mbahet konferencë për shtyp nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerimi, Oliver Varhelyi. (Transmetimi në faqen e Zyrës së BE-së në Facebook, ora 17:15)

- Teatri i Prishtinës Dodona shfaq “Bob Vatsoni bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht”. (Teatri Dodona, ora 17:30)

- Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog i dorëzon raportin e Komisionit Evropian Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me ç'rast do të mbajnë edhe një konferencë te përbashkët për shtyp, ora 18:30)