20 Prill 2024

Kampionati i Futbollit për herë të parë në kontinentin afrikan

Johanesburg, 7 mars - Për herë të parë Kampionati Botëror i Futbollit do të zhvillohet në kontinentin afrikan. Afrika e Jugut, vendi organizator i Kampionatit të sivjetshëm po bën përgatitjet e fundit për aktivitetin botëror. Organizatorët vendas shpresojnë se kampionati do t’i ndihmojë të prezantojnë imazhin e ri të Afrikës së Jugut pas aparteidit si dhe fuqinë e këtij vendi për organizime të tilla madhore.

Por, megjithë përpjekjet e deritanishme, Federata Botërore e Futbollit FIFA është e shqetësuar për ritmet e ulëta të shitjes së biletave:

Mbeten rreth 100 ditë deri në hapjen e Kampionati Botëror dhe organizatorët vazhdojnë punën me intensitet për këtë aktivitet që do ta bëjë Afrikën e Jugut, të parin vend afrikan që organizon kampionatin.

Në stadiumin e futbollit në Johanesburg, ku do të zhvillohet ceremonia e hapjes dhe ajo e mbylljes së Kampionatit, ndërtimet kanë mbaruar, por vazhdojnë përpjekjet për zbukurimin e mjedisit.

Në rrugët e Johanesburgut, afishe që reklamojnë Kampionatin janë shfaqur kudo, dhe grafitet nëpër mure janë shenjë e gatishmërisë së Afrikës së Jugut për të organizuar këtë veprimtari.

Ndërkohë që numërohen 100 ditët e fundit, përfaqësuesit e komitetit lokal organizator pohojnë se vëllimi i shitjes së biletave deri tani ka qenë zhgënjyes.

Shitja e biletave ka qenë e dobët brenda Afrikës së Jugut dhe komiteti organizator po përpiqet në muajt e fundit para hapjes së kampionatit që të nxisë interesim duke dërguar përfaqësues të ekipit kombëtar në një turne për të bindur tifozët të mbështesin aktivitetin.

Komiteti organizator përpiqet të shuajë shqetësimet për ritmet e ngadalta në përgatitje. Danny Jordaan është shefi ekzekutiv i komitetit:

“Tani që kanë mbetur edhe 100 ditë deri në fillim të ndeshjeve, hedhim vështrimin pas dhe shohim rrugën që kemi përshkuar, ndjehemi shumë krenarë që pas 103 vjetësh të hapjes së ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, kontinetit afrikan i jepet rasti të organizojë një aktivitet të tillë”.

Zoti Jordaan është veçanërisht i gatshëm t’u përgjigjet zërave se futbolli nuk gëzon popullaritet në Afrikën e Jugut dhe se entuziazmi i tanishëm është krijuar artificialisht përmes marketingut:

“Ndjenja e krenarisë kombëtare është shumë e rëndësishme kur organizon një aktivitet të tillë botëror. Nuk kam dyshim se ashtu siç ka ndodhur gjatë Kupës së Konfederatave apo Kupës së Ragbit, edhe për Kupën e Futbollit do të ketë entuziazëm”.

Ky entuziazëm arrin kulmin në Stadiumin Orlando të Sowetos. Ekipet rivale Orlando Pirates dhe Kaiser Chiefs kanë disa nga tifozët më të zjarrtë në vend. Ata vijnë të veshur me ngjyrat e ekipit të tyre me kapelet makaraba dhe u bien borive plastike që quhen vuvuzela duke krijuar një kakofoni me një intensitet që pasqyron entuziazmin e tyre për lojën.

Nëse do ta gjykonim entuziazmin për futbollin nga këta tifozë, nuk ka dyshim që Kamionati Botëror në Afrikën e Jugut do të ketë sukses. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)