30 Janar 2023

Gjakova do të bëhet me stadium e fusha të tenisit me standarde ndërkombëtare

 Prishtinë, 21 maj - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me një pjesë të stafit të MKRS-së, ka vizituar sot Komunën e Gjakovës, për të parë investimet që po bën MKRS-ja në këtë Komunë.

Me këtë rast, Ministrja Dumoshi është pritur në Komunë nga kryetari Ardian Gjini, ku edhe kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi i cili ka për qëllim mbështetjen financiare për projektin “Ndërtimi i kompleksit të tenisit në Komunën e Gjakovës”, në vlerë prej 250 mijë euro dhe që do të implementohet këtë vit.

Gjatë takimit ministrja Dumoshi e kryetari Gjini biseduan për projektet e përbashkëta që ka MKRS-ja dhe Komuna e Gjakovës, në fushën e trashëgimisë e të rinisë si dhe investimet kapitale në sport.

Në kuadër të vizitës, ministrja Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini morën pjesë në vënien e gurëthemelit për ndërtimin e stadiumit të qytetit në Gjakovë, ministria ka ndarë mjete në vlerë prej 1,1 milion euro, për fazën e parë të realizimit të projektit.

Ministrja e Dumoshi vlerësoi se Gjakova ka traditë në sportin e futbollit gati një shekull dhe se ky investim, konkretisht, vënia gurëthemelit të stadiumit është një falënderim e mirënjohje për të gjitha gjeneratat dhe kontributin e tyre që kanë dhënë në sport, në këtë rast edhe në futboll.

“Ne si Ministri e Kulturës Rinisë dhe Sportit po investojmë 1 milion e 100 mijë euro por edhe me rishikim edhe vitin e ardhshëm do të shikojmë për financim që të jetësohet ky projekt sepse është shumë i domosdoshëm për komunën e Gjakovës, për të gjithë njerëzit, për gjeneratat”, tha mes të tjerave ministrja, duke i vlerësuar edhe qytetarët e tifozët që i kanë përkrahur klubin e futbollit dhe sportin në përgjithësi.

Ndërsa kryetari Gjini tha se përkundër vonesave e keqkuptimeve të së kaluarës, ministrja Dumoshi e ka mirëkuptuar maksimalisht për projektin në fjalë dhe falë saj po nis ndërtimi i stadiumit të Gjakovës. “Dy vite luftë kemi bërë për të nisur, herë dilnin fondet herë u heqshin, e kryem projektin pak më ambicioz se të tjerët që kanë pritur por, ky projekt duhet të mbijetojë shumë gjatë. Me ministren Dumoshi s’kam pas nevojë me luftu hiq menjëherë e kemi operacionalizu”, tha Gjini.

Në tërësi, ministrja Dumoshi vlerësoi se investimet që MKRS-ja po bën në Komunën e Gjakovës do të jenë në dobi dhe interes të qytetarëve të kësaj ane dhe ajo ndjehet jashtëzakonisht e lumtur që kjo gjë po bëhet e mundur.

Po ashtu, ministrja Dumoshi foli edhe për memorandumin që nënshkroi me kryetarin Gjini për fushat e tenisit, ku edhe vizitoi terrenin në të cilin po ndërtohen fushat, projekt në të cilin ministria po investon.

“Memorandumi që nënshkruam sot është një lajm shumë i mirë për tenistët. E di që Gjakova ka shumë tenistë dhe që funksionojnë 3 klube që garojnë dhe ata janë lojtarë shumë të mirë e që na prezantojnë."

"Ky memorandum është vazhdimësi e projektit. Pashë nga afër punimet që janë kryer deri më tani dhe 80% e punëve kanë mbaruar, por për ne është esenciale që të fillojmë menjëherë t’i ndërtojmë fushat dhe do të ndërtohen 4 të tilla në këtë kompleks."

"Ndërtimi po bëhet sipas standardeve e kritereve ndërkombëtare pasi tashmë sporti i Kosovës është ndërkombëtarizuar dhe po shpresoj që punimet deri në fund të vitit pothuajse të përfundojnë”, tha mes tjerash ministrja, duke premtuar se përkrahja dhe bashkëpunimi me Komunën e Gjakovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ndërsa, kryetari Gjini u shpreh se MKRS-ja ka vazhduar ta përkrahë Gjakovën me projekte të reja dhe me vazhdimin e disa projekteve tjera, duke shprehur edhe falënderim të veçantë për ministren Dumoshi, sepse i ka shtyrë përpara projektet për Gjakovën.

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 janar 2023

 - Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, takohet me përfaqësues të Komisionit Vlerësues Mjekësor për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 10:00)

- Kuvendit Komunal të Rahovecit mban mbledhjen e parë për këtë vit. (Salla e KK-Rahovec, ora 10:00)
    
 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendin të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, C301, ora 11:00)
 
- Komuna e Vushtrrisë organizon ceremoninë e zbulimit të lapidarit të Dëshmorëve të Kombit, Sadri Maksuti e Sadik Malaj. Merr pjesë dhe kryetari i Komunës. Ferit Idrizi. (Fshati Stanoc, magjistralja Prishtinë-Mitrovicë, afër furrës “Evropa”, ora 13:00)
    
- Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, diskuton për Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. (Salla e Asembles Komunale në Pejë, ora 13:00)
    
- Fondacioni Friedrich Ebert në Prishtinë prezanton draft-statutin për “Asociacionin e Komunave në të cilat Komuniteti Serb i Kosovës është Shumicë”, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP). (Hotel Prishtina, ora 13:30)

- Partia Demokratike e Kosovës mban sot konferencë. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 14:00)


- Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj organizon ceremoninë e shpalljes së “Sportistit të Vitit 2022”. (Teatri “Adriana” në Ferizaj, ora 17:00)