24 Korrik 2021

Amerikanët me më shumë medalje në Vankuver

Vankuver, 24 shkurt - Lojërat e 21-ta Olimpike Dimërore janë futur në javën e fundit, pas 8 ditë konkurimesh plot emocione, të papritura dhe momente ngadhënjyese.

Podiumi i fituesve priti dje skiatorin e famshëm amerikan Bode Miller, që pas fitores dy herë të titullit Kupës së Botës në Ski dhe 4 herë të titullit Kampion Bote, siguroi më së fundi edhe medaljen e parë të artë olimpike. Ndërkohë kanadezët pësuan dje goditjen më të rëndë në këto Lojëra me humbjen në sportin më popullor në vend, hokej në akull, përballë Shteteve të Bashkuara:

Si në çdo ditë konkurimi në pistat e akullta të Olimpikeve, edhe dita e djeshme nuk bënte përjashtim. Pas një tentative zhgënjyese në Torino, dhe pasi thuajse e braktisi përfundimisht sportin vjet, skiatori amerikan Bode Miller u kthye në pistë për të kërkuar të parën medalje olimpike. Ndryshe nga Lojërat e 2006, kur ai mori vetëm emër si i dhënë pas qefit dhe pijes, këtë radhë ai siguroi edhe të parën medalje të artë olimpike.

“Ishte moment emocionues. Nuk e mendoj veten si njeri që përlotet. Por ai moment ishte shumë emociunues. Mendoj se kishte domethënie të madhe edhe për familjen e për miqtë e mi që janë këtu. Ishte një garë e shpejtë, dinamike, pra një sfidë që nuk e mendoja. Kur arrita vijën e finishit, më ishin bllokuar gjunjët. Por ajo që ka rëndësi është se skiova shkëlqyeshëm.”

Një kurorë e re arritjesh i takoi në këto Olimpike patinatorit në garat e shpejtësisë Apollo Ohno, i cili pas fitores së të shtunës, mban tani rekordin si olimpisti amerikan me numrin më të madh të medaljeve në Lojërat Dimërore. Vetë Apollo thotë se nuk ishte rekordi që e shtyu drejt fitores: “Vetëm të konkurosh në emër të Shteteve të Bashkuara është në vetvete një nder i madh. Medaljet janë një tjetër kënaqësi që i shtohet këtij nderi.”

Megjithë problemet fillestare me motin e ngrohtë, me vdekjen e konkurentit të lugesë nga Gjeorgjia para fillimit të Lojërave dhe pas akuzave se pistat ishin këtë radhë tepër të rrezikshme, një javë pas fillimit të Lojërave, Kanadaja po merr përgëzime për organizimin e Olimpikeve 2010. Por publiku kanadez pret mbi të gjitha të shohë flamurin e vet në podiumin e medaljes së artë. Dje, një ndeshje e shumëpritur paraprake mes ekipit amerikan dhe atij kanadez, përfundoi me fitoren e amerikanëve 5-3. Ishte një fitore që amerikanët po e quajnë momentin historik të këtyre lojërave. Amerika garantoi mbrëmë një vend në çerek-finale, ndërkohë që kanadezët, të tronditur nga kjo fitore, përpiqen të fitojnë në eliminatoren kundër Gjermanisë nesër. Humbja në fushën e vet, përballë amerikanëve duket se i ka prekur thellë kanadezët.

Për ekipin amerikan, pista e hokejt është një tjetër mundësi për të rritur numrin e medaljeve të fituara. Me konkurentët e sivjetshëm, duket se Amerika po krijon një traditë të re për Olimpiket dimërore. Ekipi amerikan ka deri tani një total prej 7 medaljesh ari, por çka është më e rëndësishmja renditet në krye të të gjitha vendeve konkurente me 24 medalje deri tani në këto Lojëra, një total shumë më i madh se Gjermania që renditet në vend të dytë me 18 medalje. Për herë të parë në 78 vjet, Shtetet e Bashkuara kanë shansin të kurorëzohen si vendi me numrin më të madh të medaljeve, duke anashkaluar konkurente të fuqishme në Lojërat e Mëparshme dimërore, si Gjermania, Norvegjia apo Rusia.

Edhe skiatoret gjermane Evi Sachenbacher-Stehle dhe Claudia Nystad kanë fituar në Lojërat Olimpike në Vancouver të Kanadasë medaljen e artë. Në të ashtuquajturin kërcim me ski si ekip dysh ato fituan para ekipit nga Suedia dhe Rusia.

Dyshja e skiatorëve gjermanë Axel Teichmann dhe Tim Tscharnke në garën sprint për meshkuj fituan medaljen e argjendtë, ku vendin e parë e zunë norvegjezët dhe në vend të tretë dolën rusët. Në garën katërshe të kërcimit me ski ekipi gjerman i përbërë nga Neumayer, Wank, Schmitt dhe Uhrmann fitoi medaljen e argjendtë, pas fituesit Austrisë dhe Norvegjisë.

Kërcyesi me ski nga Zvicra, Simon Amman, fitoi medaljen e tij të dytë të artë, gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Kanada, Vancouver 2010. Amman është kështu fitues i katërfishtë olimpik në garën e kërcimit me ski. Medaljen e argjendtë dhe të bronztë i fituan polaku Adam Malysz dhe austriaku Gregor Schlierenzauer.

Ndërkohë, sportistët gjermanë kanë marrë përsëri medalje. Në garën e ndjekjes me ski 2 herë nga 15 kilometra, Thomas Angerer fitoi medaljen e argjendtë. Medalja e artë dhe e bronztë në këtë garë, shkuan në Suedi te Marcus Helner dhe Johann Olsson.

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Korrik 2021

- Demokracia në Veprim mban konferencën për media, ku do të publikohet një vlerësim ex-ante i zgjedhjeve lokale të 17 tetorit 2021, që do të shërbej si dokument avokues për t’a avancuar procesin zgjedhor të 17 tetorit.  (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)  

- Kandidati për kryetar të komunës së Pejës, Rrustem Berisha, mban konferencë për medie. (Në qendër të qytetit në Pejë, para Selisë së AAK-së, ora 12:00)

- Në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Kulturës dhe Turizmit në Deçan” hapet panairi veror në qendër të qytetit, ku do të marrin pjesë me prezantimin e produkteve të tyre një pjesë e madhe e qyteteve të Kosovës po ashtu komunat: Ulqin , Shkodër , Bajram Curri etj. (Qendra e qytetit te Deçanit, ora 16:00)