27 Prill 2024

Vllastimir Gjorgjeviqi shpallet fajtor për Krime në Kosovë

Hagë, 23 shkurt - Sot, Dhoma Gjyqësore II e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë shpalli fajtor Vllastimir Gjorgjeviqin, ish-zyrtar i lartë i policisë serbe, për krime kundër  njerëzimit  dhe krime lufte kundër civilëve shqiptarë kosovarë në 1999, dhe e dënoi me 27 vjet burgim.

Gjorgjeviqi, ish-Ndihmësministër i  Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB)  dhe Shef i Drejtorisë së Sigurimit Publik (RJB), u shpall fajtor për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale në 1999, qëllimi i të cilës  ishte  ndryshimi  i  përbërjes  etnike  të  Kosovës  për të siguruar kontrollin e mëtejshëm serb mbi krahinën.

Ky objektiv u ndoq nëpërmjet një fushate të gjerë terrori dhe dhune kundër  shqiptarëve  kosovarë, duke përfshirë dëbime, vrasje, transferim të dhunshëm  dhe  përndjekje.  Plani  i Përbashkët ose Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale u realizua me miratimin dhe pjesëmarrjen e udhëheqësve politikë të  RFJ-së  dhe  Serbisë,  drejtuesve të Ushtrisë Jugosllave (UJ) përfshirë edhe  Korpusin  përkatës  në  Kosovë,  dhe  drejtuesve  të MPB-së përfshirë Shtabin e saj në Kosovë.

Dhoma konkludoi se ndër  anëtarët  kryesorë  të  Ndërmarrjes së Përbashkët  Kriminale  ishin  Sllobodan Millosheviq, President i Republikës Federale  të  Jugosllavisë,  dhe Nikolla Shainoviqi, Zëvendëskryeministër i RFJ-së  dhe  përgjegjës  për  Kosovën.   Ndër  anëtarët  e  Ndërmarrjes  së Përbashkët  Kriminale  nga  MPB-ja  ishin  Vllajko  Stojilkoviq, Ministër i Brendshëm, i Akuzuari  Vllastimir  Gjorgjeviq,  Shef  i  RJB-së,  Radomir Markoviq, Shef i Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror, dhe Sreten Llukiq, shefi Shtabit të MPB-së për Kosovën.

Gjykatësit  hodhën poshtë pretendimin e Gjorgjeviqit se ai nuk kishte kontroll  efektiv  mbi  përdorimin  e  forcave  të  MPB-së në Kosovë, sepse Ministri  Stojilkoviq  e  kishte  përjashtuar  prej  këtij kontrolli.

Dhoma konkludoi  se  përkundrazi  “pjesëmarrja  e  të  Akuzuarit në ndërmarrjen e përbashkët  kriminale  ishte  vendimtare  për  suksesin  e saj”.

I Akuzuari gëzonte  kompetenca të ligjshme dhe ushtronte kontroll efektiv mbi policinë në Kosovë, si policinë e rregullt po ashtu edhe atë rezerviste.

Gjorgjeviqi u shpall fajtor për krime në formën e dëbimeve, vrasjeve, transferimit  të  dhunshëm  dhe  përndjekjeve  të  kryera  në  13 komuna të përmendura   në  aktgjykim  si  më  poshtë;  Rahovec,  Prizren,  Skenderaj, Suharekë,  Pejë,  Mitrovicë,  Prishtinë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Deçan dhe Vushtrri.

U  konkludua se Gjorgjeviqi mban përgjegjësi për vrasjen e “jo më pak se  724  shqiptarëve  kosovarë”,  të  cilët  u  vranë  nga forcat serbe, në shumicën e rasteve policia, në shumë prej komunave të përmendura.

“Në  numrin  më të madh të rasteve, viktimat, përfshirë shumë gra dhe fëmijë,  ishin  civilë  të  paarmatosur  të  cilët në asnjë farë mënyre nuk merrnin   pjesë  në  çfarëdo  forme  të  konfliktit  të  armatosur”,  ishte konkluzioni  i Dhomës.

Më tej Dhoma shtoi se krimet për vrasje të akuzuara në Aktakuzë thjesht ishin ilustruese dhe “nuk përbëjnë aspak një pasqyrë të plotë të krimeve të kryera nga forcat serbe, në veçanti nga policia, kundër popullatës  shqiptare  kosovare  gjatë  sulmit  të  gjerë dhe sistematik të përmendur”.

Ndër  incidentet e vrasjeve për të cilat Gjorgjeviqi mban përgjegjësi ishte pushkatimi dhe djegia e mëpasme e 114 burrave dhe djemve nga Krusha e Vogël,  fshat afër Rahovecit, të cilët u vranë nga policia më 26 mars 1999.

Në  të  njëjtën ditë, policia vrau afërsisht 45 anëtarë të një familjeje në Suharekë.  Në  Podujevë,  forcat  serbe rreshtuan dhe hapën zjarr kundër 19 grave  dhe fëmijëve, prej të cilëve u vranë 14. Pesë fëmijë të cilët mbetën gjallë, pësuan lëndime të rënda dhe të përhershme.

Gjorgjeviqi  u  shpall  gjithashtu fajtor për dëbim dhe transferim të dhunshëm. Ndonëse mbi 800.000 shqiptarë kosovarë u larguan nga Kosova midis 24  marsit  1999  dhe  20  qershorit  1999,  Dhoma Gjyqësore shqyrtoi vetëm incidentet  që ndodhën në 13 komunat e përmendura dhe gjykoi se Gjorgjeviqi mbante  përgjegjësi  për dëbimin e së paku 200.000 shqiptarëve kosovarë nga këto zona gjatë tre muajve dhe theksoi se “ky vlerësim është jo i plotë dhe tejet i moderuar, dhe shifra e saktë me gjasë është shumë më e lartë”.

“Shqiptarët  kosovarë  u larguan nga Kosova për arsye se ishin forcat serbe  ato  që  i  urdhëruan  të largoheshin, apo për shkak të veprimeve të forcave  serbe që i detyruan të largoheshin, sidomos përmes granatimeve, të shtënave,  vrasjeve,  dhe  djegieve  të shtëpive dhe ndërtesave të tjera në fshatrat dhe qytetet e tyre”, deklaroi Kryegjykatësi Kevin Parker.

Dhoma hodhi  poshtë  pretendimet  e  Mbrojtjes  se  shqiptarët  po largoheshin  për shkak të bombardimit të RFJ-së prej NATO-s që filloi më 24 mars  1999,  dhe  për  shkak  të luftimeve midis forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare  të  Kosovës.  Ndonëse  këta  faktorë  “mund  të  kenë shkaktuar shqetësime  tek disa shqiptarë kosovarë, faktori mbizotërues dhe detyrues i largimit  të  shqiptarëve  kosovarë  nga  shtëpitë e tyre dhe në shumicën e rasteve  nga  Kosova,  ishte  fushata e qëllimshme e dhunës dhe terrorit që kryen forcat serbe kundër civilëve shqiptarë kosovarë”, konkludoi Dhoma.

Gjithashtu  u  konkludua  se  Gjorgjeviqi  luajti  rol  udhëheqës  në orvatjet  e  MPB-së  për  mbajtjen  në fshehtësi të vrasjeve të shqiptarëve kosovarë.

“Provat  konfirmojnë  se  prej javës së dytë të prillit 1999, së paku  gjashtë herë gjatë një periudhe disajavëshe, kamionë që transportonin kufoma të shqiptarëve kosovarë të vrarë nga forcat serbe në Kosovë, arritën në  qendrën  e  SAJ—it  13  maj,  në  Batajnicë afër Beogradit”, lexohet në  vendim.

Dy  ngarkesa të tjera me kufoma u çuan në Qendrën Petrovo Selo të  SAJ-it.   Gjithashtu  u  nxorën  kufoma  nga  Liqeni Peruçac në Serbi dhe u varrosën  në  një  varr  të përbashkët pranë liqenit. 

Në 2001 u zhvarrosën kufomat  e  744 individëve në Qendrën e SAJ-it në Batajnicë,  61 në Petrovo Selo dhe 84 në Liqenin Peruçac.

Dhoma  konkludoi  se transportimi i kufomave nga Kosova për varrim të fshehtë  në  varre të përbashkëta në terrene të MPB-së, u krye në kuadër të një  operacioni  të  koordinuar për zhdukjen e provave të krimeve të kryera prej forcave serbe kundër shqiptarëve kosovarë në Kosovë gjatë periudhës së Aktakuzës.

Ky  operacion u krye nën drejtimin e të Akuzuarit, në konsultim me Ministrin Stojilkoviq, në zbatim të një urdhri të Presidentit të RFJ-së, Sllobodan Millosheviq.

Vllastimir  Gjorgjeviqi  është i teti ndër ish-zyrtarët e lartë serbë që u gjykua për krime të kryera në Kosovë dhe i gjashti që u shpall fajtor.

Ai u akuzua penalisht në vitin 2003, por ishte në arrati deri në arrestimin e  tij  më  17 qershor 2007, në Mal të Zi. Gjykimi i tij filloi më 27 janar 2009  dhe  përfundoi  me  argumentet  përmbyllëse më 13 dhe 14 korrik 2010.

Dhoma  dëgjoi  mbi  140  dëshmitarë  dhe  pranoi  si  prova mbi 2.500 prova materiale,  përfshirë  shumë  urdhra  dhe  raporte  të MPB-së dhe UJ-së dhe procesverbale  të mbledhjeve të udhëheqjes politike, policore dhe ushtarake serbe.

Që prej themelimit të tij Tribunali ka akuzuar penalisht 161 individë për  shkelje  të  rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare të kryera në territorin  e  ish-Jugosllavisë  në  periudhën  1991-2001.  Kanë përfunduar proceset  kundër 125 individëve dhe janë duke u zhvilluar procese kundër 34 të akuzuarve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)