25 Tetor 2021

Vendet e Quint-it bëjnë thirrje për ruajtje të paqes dhe sigurisë

Prishtinë, 21 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë: të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Nicholas Giacobbe, ambasadorin e Gjermanisë, z. Joern Rohde, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Abbott, ambasadoren e Francës, znj. Marie-Christine Butel, zëvendës-shefin e Misionit të Italisë në Kosovë, z. Ugo Ferrero, dhe Përfaqësuesin e Posaçëm e Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Tomas Szunyog.

Në këtë takim, u diskutua mbi vendimin e djeshëm rreth pajisjes me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti i informoi ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar dje dhe sot nuk ka pasur incidente. Ai tha se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase.

Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar, tha kryeministri, duke theksuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare. Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpiejnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet.

Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia, theksoi kryeministri Kurti.

Ai i njoftoi ambasadorët edhe për bisedën telefonike që ka pasur mbrëmë me Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Josep Borrell.

Ministri Sveçla tha se policët tanë janë në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Qytetarët serbë nuk kanë pse të ndjehen të frikësuar, potencoi ai. Masat e ndërmarra nuk janë kundër atyre dhe as kundër ndokujt tjetër. Policia nuk merret me nacionalitetin e udhëtarëve. Ajo i mbron e respekton të gjithë qytetarët pa dallim, tha ministri.

Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë.


 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Tetor 2021

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-089 për deminimin Humanitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Lëvizja Studentore për Barazi Studim Kritikë Veprim, mban aksion simbolik. (Para Fakultetit Ekonomik, ora 10:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton propozim-vendimin e Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe formon grupin punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Bëhet lasnimi i projektit “Përfshirja e grave në tryezën negociuese në Kosovë”, mbështetur nga Bashkimi Evropian. (Shtëpia e Evropës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton vendimin e Qeverisë për aprovimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Kosmonte Foods”, formon grupin e punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Trepçën, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Mbahet simpoziumi shkencor “Muhaxhirët nëpër vite 1877/78 – 2021”. (Instituti Albanologjik, ora 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve të artit pamor për vitin 2020. (Kabineti i Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ora 13:00)

- Fondacioni Jahjaga organizon lansimin e edicionit të tretë të Revistës ZA që prodhohet nga fondacioni me përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë përmes Planit të Tretë Kombëtar të Italisë për Gra, Paqe dhe Siguri. (Libraria Dukagjini në Sheshin “Nënë Tereza”, ora 18:00)