19 Prill 2024

U inaugurua objekti i ri i Ministrisë së Punëve të Brendshme

Prishtinë, 6 maj - Sot, u inaugurua solemnisht objekti i ri i Ministrisë së Punëve të Brendshme e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në inaugurimin solemn, morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, komisioneri Evropian për Zgjerim, Shtefan Fule, drejtori i Drejtorisë së Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pier Mirel, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë, Renzo Daviddi, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ministri për Integrime Evropiane, Besim Beqaj dhe përfaqësues të tjerë të lartë vendorë e ndërkombëtarë.

Pas ceremonisë së inaugurimit të kryeministrit Thaçi dhe komisionerit të Evropian për Zgjerim, Shtefan Fule, në sallën e konferencave fjalën e mori kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se “kam kënaqësinë që bashkë me zotin Fule të marr pjesë në inaugurimin e ndërtesës së re të Minisrtrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës. Sot, kjo ndërtesë simbolizon rend, ligj, dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në vendin ku është ndërtuar ky objekt i ri i standardeve të reja dhe perëndimore, në të kaluarën ka përfaqësuar shtypjen dhe diskriminimin. Kjo ndërtesë e ndërtuar bashkërisht midis Qeverisë së Kosovës dhe asistencës gjeneroze të Bashkimit Evropian, do të ketë kushte më të mira për sundimin e ligjit dhe zbatimit të tij, tha ndër të tjera kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Në vazhdim, komisioneri Evropian për Zgjerim, Shtefan Fule, tha se “jam i gëzuar që sot jam këtu në inaugurimin e ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sundimi i ligjit është kusht kryesor për presporitet dhe stabilitet, si dhe është fundamentale për integrimin në Bashkimin Evropian. Është esenciale edhe për anëtarësim, si dhe kusht për mirëqenien e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo ndërtesë është dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme të Bashkimit Evropian në Kosovë. Infrastruktura e përmirësuar, do të thotë një mjedis më të mirë për punë, duke i bashkuar mbi 200 punonjës nën një kulm. Dëshirojmë që të forcojmë edhe përgatitjen në implementimin e reformave të domosdoshme, për kryerjen e detyrave që janë dhënë, në veçanti me EULEX-in. Ju dëshirojmë çdo sukses në punën tuaj”, tha ndër të tjera komisioneri Evropian për Zgjerim, Shtefan Fule.

Në vazhdim, pasi i përshëndeti të pranishmit,  ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi tha se “kam nderin dhe kënaqësinë që po e përurojmë një objekt të përbashkët për sektorin e sundimit të ligjit, që padyshim është e një rëndësie të veçantë. Kushtet e punës, përkatësisht hapësirat për punë, padyshim se do të ndikojnë edhe në përmirësimin e performancës dhe rritjes së punës, sidomos tani ku prioritet kyç do të jetë plotësimi i kritereve teknike në procesin e liberalizimit të vizave në Bashkimin Evropian. Ky projekt dëshmon se kemi ndërtuar një partneritet të fuqishëm me Komisionin Evropian në implementimin e agjendës evropiane për Kosovën, prandaj me të drejtë presim vazhdimin e mbështetjes së asistencës teknike të Komisionit Evropian për ndërmarrjen e reformave gjithëpërfshirëse në sektorin e sundimit të ligjit. Ministria e Punëve të Brendshme ka rolin më të madh të detyrave që dalin nga plani i veprimit për partneritet evropian dhe nga plani i veprimit për implementimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave me BE-në”, tha ndër të tjera ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi.

Në fund të ceremonisë, Ministria e Punëve të Brendshme shtroi edhe një koktej për mysafirët.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)