29 Mars 2024

Situata e tensoinuar në Mitrovicë, shkak incidentet e shpeshta

Mitrovicë,  27 shtator - Sot në takimin e Komitetit Lokal për Siguri Publike në Mitrovicë është vlerësuar se ss kjo periudhë dy javore prej mbledhjes së fundit nuk ka kaluar pa incidente.

Përfaqësuesit e komunës shtruan nevojën për masa më energjike nga autoritetet e sigurisë për arrestimin e personave dhe grupeve kriminale në veri që janë duke shkaktuar incidente.

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se përkundër faktit se nuk ka pasur ndonjë incident shumë serioz, gjendjen e kanë mbajtur të tensionuar incidentet e herë pas hershme. 

Ai përmendi rastin e shpërthimit në oborrin e një furrtari shqiptar në Zveçan, i cili është duke u sulmuar që disa herë, ndërsa nuk ka asnjë person të arrestuar.

Një gjendje e tillë e paqëndrueshme, tha ai, po krijon probleme për realizimin e projekteve të ndryshme në veri.

Në këtë kontekst, nënkryetari Haziri, potencoi projektin për ndërtimin e një objekti shkollor në Kodrën e Minatorëve, ku rreth 30 nxënës janë duke mësuar në kontejner.

“Ne i kemi bërë të gjitha kërkesat e nevojshme, mandej disa vite rresht Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka ndarë edhe mjetet për këtë projekt, për të cilin ishte zgjedhur edhe punëkryesi, mirëpo puna nuk ka nisur kurrë”.

Në këtë drejtim, ai theksoi se kanë qenë zyrtarët e UNMIK-ut në veri që kanë bërë obstruksion për ndërtimin e kësaj shkolle, të cilët pasi nuk kishin mundur të gjejnë asnjë arsye për moslejimin e ndërtimit të saj, kishin sugjeruar që të bisedohet me strukturat paralele për realizimin e këtij projekti.

“Është një sjellje e papërgjegjshme e tyre, ashtu sikur edhe për moslejimin e rindërtimit të Xhamisë së Ibrit”.

Duke folur për këto projekte që nuk po mund të realizohen, nënkryetari Haziri, ka kërkuar nga autoritet e sigurisë masa më energjike, në mënyrë që të krijohen kushtet për kryerjen e këtyre projekteve që janë të rëndësishme për qytetarët.

“Banorët në veri janë të shqetësuar për këto gjëra, ashtu sikur për personat dhe grupet kriminale që lëvizin të armatosur dhe nuk ndërmerret asnjë masë ndaj tyre”.

Në lidhje me situatën  e sigurisë, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka thënë se nuk është e qëndrueshme, meqë incidentet janë shumë të shpeshta.

Pos sulmit ndaj furrtarit shqiptar në Zveçan, ka përmendur edhe të shtënat në drejtim të punëtorëve të ART-së, të cilët të dielën kanë tentuar që të shkyçin antenat e operatorëve ilegalë në veri, mandej dy shpërthime që kanë ndodhur të dielën vonë në Zveçan etj.

Për këto raste më në detaje ka folur përfaqësuesi i policisë rajonale, Avni Zaiti. Ai tha se të dielën në fshatin Dren të Zubin Potokut ka pasur të shtëna armësh në drejtim të punëtorëve të ART-së që kishin shkuar për të shkyçur operatorët e telefonisë ilegale. “Pas këtyre të shtënave ky aksion nuk ka mundur të realizohet”.

Ndërsa sa i përket shpërthimeve në Zveçan, ai konfirmoj se si pasojë e tyre janë dëmtuar dy vetura private, ndërsa nuk ka pasur të lënduar.

“Policia është duke vazhduar me realizimin e masave për të ofruar siguri për të gjithë. Në këtë drejtim janë duke vazhduar të funksionojnë edhe pikat statike në Kodër të Minatorëve dhe në Osterode”.

Përfaqësuesit e KFOR-it që ishin të pranishëm në takim thanë se ata kanë shtuar masat e sigurisë dhe janë të gatshëm të ballafaqohen me çfarëdo situate.           

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)