28 Mars 2024

Siguria, sfidë e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare

Prishtinë, 14 korrik - Duke u bazuar në zhvillimet e përgjithshme politike në Republikën e Kosovës, siguria në vend e posaçërisht në veri të Mitrovicës, është e brishtë dhe jo tërësisht e kontrolluar nga institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, të cilat sipas ligjit janë organe kompetente për funksionimin e plotë të institucioneve shtetërore në tërë territorin e Republikës së Kosovës, - ka vlerësuar Shefki  Abdullahu, Këshilltar për Politikë dhe Siguri Nacionale i Presidentit të AKR-së.

 

Të njëjtat sipas tij kanë përgjegjësi për krijimin e një ambienti  të qetë dhe të qëndrueshëm, sundimin e rendit dhe ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, trafikimeve ilegale, lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike, zhvillimin ekonomik dhe integrimin e plotë të Kosovës, si bazë e rëndësishme për krijimin e stabilitetit dhe sigurisë në vend. 


Ai ka theksuar se shteti i ri i Kosovës i pranuar nga shtetet të fuqishme me ndikim në politikën dhe sigurinë botërore, në këtë fazë të angazhimeve lobuese për njohje të reja nga vendet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën shtet, një gjendje e tillë e sigurisë përveç që dëmton proceset e lartpërmendura, është duke e dëmtuar rëndë edhe imazhin e vendit.
Deri më tani, e gjithë kjo sipas Abdullahut tregon qartë se Qeveria nuk ka seriozitet të duhur në implementimin e strategjisë shumë të përfolur për Integrimin e Veriut të Mitrovicës, në drejtim të përmirësimit të gjendjes së përgjithshme politike, ekonomike, sociale dhe të sigurisë, në veçanti në këtë pjesë të Kosovës.


Aleanca Kosova e Re,  përfundimisht kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim të plotë me institucionet ndërkombëtare të akredituara në Kosovë, të koordinojnë veprimet e përbashkëta  në bazë të përgjegjësive që kanë dhe të ndërmarrin hapa konkret në fushat specifike me sa vijon: 


1. Menjëherë të përpilojnë një plan konkret të veprimeve të përbashkëta duke ndarë saktësisht përgjegjësit e të gjitha institucioneve përgjegjëse dhe të veprojnë si një Ekzekutiv në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe rikthimin e kontrollit të plotë në tërë territorin e Kosovës bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi.

 

2. Krijimin e një kontrolli të plotë në të gjitha pikat doganore, e posaçërisht në veri të Kosovës në pikat kufitare  31 dhe 1.


3. Të ftojnë të gjithë qytetarët për dorëzimin vullnetar të armëve ilegale, më pas angazhimin e të gjitha strukturave zyrtare vendore dhe ndërkombëtare për organizimin e aksioneve speciale për konfiskimin e armëve ilegale në tërë territorin e Kosovës e posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës.

 

4. Shuarjen e të gjitha institucioneve ilegale, eliminimin e grupeve të kontrabandave të cilat veprojnë në veri të Kosovës, e të cilat në vazhdimësi e sfidojnë sigurinë e qytetarëve dhe ulin imazhin e Republikës së Kosovës.


5. Rikthimin e sundimit të plotë të rendit dhe ligjit, rikthimin e gjykatave dhe administratës së pushtetit lokal për shërbime të të gjithë qytetarëve nën mbikëqyrje dhe kontroll të plotë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.


6. Krijim të hapësirave të veçanta ekonomike, përpilim të projekteve zhvillimore, hapje të vendeve të punës duke zvogëlua problemet sociale të të gjithë qytetarëve, në veçanti në komunat e veriut të Kosovës,


7. I gjithë territori i Republikës së Kosovës të kthehet nën Rendin Kushtetues të vendit.

AKR-ja konsideron se pas realizimit të suksesshëm të shtatë fushave vepruese të lartpërmendura, Qeveria e Replikës së Kosovës do të konsiderohej se ka krijuar një stabilitet politik, qeverisje të mirë dhe efektive, lëvizje të lirë dhe siguri të plotë për të gjithë qytetarët e Kosovës, fillim të zhvillimit ekonomik, thithje të donacioneve dhe investime nga jashtë, regjistrim të popullatës, aplikim për liberalizim të vizave, krijimin dhe rregullimin e marrëdhënieve politike me shtetet fqinje e sidomos me Serbinë, pastaj fillimin e bisedimeve për çështje teknike si dy shtete të barabarta të njohura reciprokisht dhe përgatitja për integrime në të gjitha mekanizmat ndërkombëtar, duke përfshirë edhe integrimin në BE dhe në NATO.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)