09 Dhjetor 2021

Shqipëria shpreh gatishmeri për të ndihmuar FSK-në

Prishtinë, 15 shkurt - Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu gjatë një takimi me Arben Imami, ministër i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, ka theksuar edhe një herë falënderimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për ndihmën e pakursyeshme që Republika e Shqipërisë i ka dhënë vendit tonë në të gjitha fushat.

Po kështu, ai e ka quajtur si shumë të rëndësishme përkrahjen e Shqipërisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si një forcë që po ndërtohet sipas parimeve më moderne, e gatshme për të kryer të gjitha detyrat.

Në këtë kontekst, Presidenti Sejdiu ka përsëritur edhe një herë qëndrimin që FSK-ja të marrë pjesë në operacionet e ndryshme jashtë vendit, duke përmendur në këtë rast angazhimin e pjesëtarëve të kësaj force në ndihmë rajoneve të përmbytura në Shqipërinë e veriut muajin e kaluar.

Ministri Imami ka shprehur edhe një herë falënderimin e institucioneve dhe të popullit të Shqipërisë për ndihmën e ofruar me rastin e përmbytjeve nga uji në rajonin e Shkodrës, si dhe ka çmuar shumë lart profesionalizmin e pjesëtarëve të FSK që morën pjesë në operacionet e shpëtimit në rajonet e përmbytura.

Ai gjithashtu shprehu përkushtimin e institucioneve të Shqipërisë për ta ndihmuar këtë forcë, për çka do të nënshkruhet edhe një marrëveshje bashkëpunimi.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 dhjetor 2021

- Shoqata e Bankave të Kosovës organizon hapjen e “Konventës Vjetore bankare të SHBK-së 2021”. (Swiss Diamond, ora 9:30)

- Lëvizja FOL organizon konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e gjetjeve nga hulumtimi “Perceptimet e sektorit privat rreth prokurimit publik”. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 10:00)

- Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Kolegji IBC-M organizojnë tryezën e diskutimit për prezantimin e Raportit të Vlerësimit të Kartelës Matëse të Autonomisë Universitare. (Amfiteatri i Bibliotekës Qendrore Universitare, kampusi i UP-së, ora 10:00)

- Mbahet seanca e 2-të e rregullt të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës në të cilën do të zgjedhet kryesuesi i Kuvendit të Komunës. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 10:00)

- Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri i dorëzon detyrën kryetarit të ri, Alban Hyseni. (Zyra e Kryetarit, ora 11:00)

- Rrjeti Mesdhetar i Grave Ndërmjetësuese së bashku me OJQ-në She Solutions mban konferencën "Gratë në sektorin e sigurisë: ndërmjet sfidave dhe mundësive". (Zyra e BE për informim, ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës / Transparency International Kosova organizojnë ekspozitën për fotografinë më të mirë kundër-korrupsion 2021, ku do të shpallen tre fituesit e kësaj gare. (Parku Arkeologjik ‘Lapidariumi’ përballë Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 11:00)

- OJQ AKTIV bën prezantimin e aplikacionit Aber online për celularë Android dhe iOS. (Hotel Ulpiana në Graçanicë, ora 11:00)

- Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu mban konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, 11:30)

- Instituti D4D organizon tryezën diskutuese me temën “Fushata zgjedhore në llupë: A e kërcënojnë integritetin zgjedhor çrregullimet e informacionit?”. (Hotel Prishtina, ora 14:00)