23 Prill 2024

Shënohet dita ndërkombëtare kundër drogave

Prishtinë, 25 qershor - Ministria e Punëve të Brendshme organizoi sot konferencë për 26 qershorin, Ditën Ndërkombëtare Kundër Drogave. Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në hapje të konferencës tha se problemi i përdorimit të drogës, i cili me të drejtë konsiderohet si një problem global, kërkon qasje dhe koordinim të përbashkët në luftimin e kësaj dukurie shumë rrezikshme për njerëzimin në tërësi.

\"Si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës që nga dita e parë e punës time, kam qenë dhe mbetem thellësisht i përkushtuar që mekanizmat tonë shtetërorë, përgjegjës për t’u ballafaquar me këtë problematikë të jenë në krye të detyrës së pakompromis në luftimin e kësaj dukurie negative dhe të rrezikshme”, ka pohuar ai.

Duke folur për bashkëpunimin ndëristitucional, kryeministrri Thaçi theksoi se çmon bashkëpunimin e mirë të institucioneve vendore dhe të atyre ndërkombëtare, si dhe kontributin e çmuar të organizatave joqeveritare.

Rezultat i këtij bashkëpunimi sipas tij është edhe aprovimi i strategjisë nacionale dhe i planit të veprimit kundër drogave. Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përgjegjshme në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga kjo strategji, duke përfshirë edhe atë të buxhetit përkatës për implementimin e saj.

\"Mekanizmat tonë shtetërorë duhet të vazhdojnë që me profesionalizëm të udhëheqin implementimin e kësaj strategjie dhe të jenë mirënjohës për ndihmën profesionale për aktorët tjerë qofshin ata ndërkombëtarë, apo vendorë. Rezultatet e para të zbatimit të kësaj strategjie tashmë shihen sidomos në pjesën e luftimit të trafikimit me narkotik. Janë të shumëta rastet e shpartallimit të grupeve kriminale të trafikimit të narkotikëve, gjithashtu edhe puna e Prokurorisë dhe gjyqësisë është duke u përmirësuar në këtë drejtim, falë ngritjeve të kapaciteteve tona për t’u ballafaquar me këtë dukuri negative. Rol të veçantë në këtë drejtim kanë shkollat dhe familjet tona dhe kjo është edhe një arsye shtesë për investimet e shumëta që i kemi bërë në fushën e edukimit në Kosovë, sidoqoftë adresimin e këtij fenomeni negativ që kërkon bashkëpunim më të gjerë rajonal dhe ndërkombëtar\", theksoi ndër të tjera kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi.

Në vazhdim, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi theksoi se “luftimi i krimit të organizuar në të gjitha format e tij është prioritet i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kosova vazhdimisht ka qenë vend tranzit i trafikimit të narkotikëve, mirëpo kohëve të fundit kemi edhe raste të kultivimit të drogave, konkretisht të kanabisit. Konsumimi i drogës në Kosovë është një fenomen, i cili është në rritje e sipër. Kosova nga një vend tranzit i transportimit të drogës, është bërë vend i konsumimit të narkotikëve. Grupet e ndryshme kriminale që janë të lidhura me rrjetin e narkotikëve të rajonit janë duke vepruar edhe në Kosovë. Konsumimi i substancave narkotike është në rritje në hapësirat e shkollave të mesme dhe atyre fillore, me fokus të veçantë në shkollat e kryeqytetit, kryesisht të rinj të moshës nga 15 deri në 35 vjeç që janë përdorues të drogës, ku dominon gjinia mashkullore”.

Duke folur për aktivitetet e Policisë së Kosovës, ministri Rexhepi theksoi se “Policia e Kosovës ka qenë mjaft aktive në luftën kundër trafikimit me narkotik, por në disa raste ka munguar bashkërendimi i aktiviteteve ndërinstitucionale ndaj kësaj dukurie negative, e cila ka vështirësuar punën e Policisë së Kosovës, por edhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit. Iniciativa jonë për të debatuar lidhur me këtë dukuri negative ka për synim vlerësimin e implementimit të strategjisë, progresin e arritur, sfidat aktuale dhe mësimet e nxjerra me qëllim freskimin dhe implementimin e strategjisë nacionale kundër narkotikëve. Duhet të theksohet se strategjitë nacionale kërkojnë qasje ndërinstitucionale, andaj edhe mobilizimi i të gjithë akterëve të sundimit të ligjit në luftë kundër krimit të organizuar është i domosdoshëm. Gjithashtu besojmë se organet e ndjekjes dhe drejtësisë do të vazhdojnë të implementojnë pjesën e tyre të përgjegjësive që dalin nga kjo strategji”, theksoi në fjalën e tij ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi.

Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi theksoi se “bashkëpunimi ndërajonal për luftimin e krimit të organizuar edhe të narkotikëve, Prokuroria e Shtetit ka bërë marrëveshje ndërshtetërore me disa shtete të Evropës dhe marrëveshje të këtilla pritet të nënshkruhen edhe me shtete të tjera. Me ndryshimin e Kodit Penal, pasi që është nxjerrë strategjia, ne kemi mundësi të implementimit të aksioneve të fshehta dhe mundësi të përdorimit te formës së negociimit të marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë. Kemi patur biseda preliminare me Policinë se do të fillojmë, për arsye se ne kemi qëllimin kryesor që të mos t’i gjykojmë ata dilerë e narkotik që janë në nivelet më të ulta, por shpërndarësit dhe shitësit dhe të depërtojmë deri te kreu i organizatave të caktuara kriminale që merren me narkotikë”, theksoi ndër të tjera kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi.

Në këtë Konferencë kanë folur edhe personalitete vendore e ndërkombëtare që kanë të bëjnë me pjesën e luftimit të kësaj dukurie negative.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)