28 Mars 2024

Reformimi i prokurimit publik shumë i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit

Prishtinë, 9 dhjetor - Sot është Dita ndërkombëtare kundër-korrupsionit dhe nuk ka ditë më të mirë se sa sot të flasim për prokurimin publik, si një nga burimet e mëdha të korrupsionit, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fillim të fjalës së tij, në shënimin e Ditës Kundër Korrupsionit 2021, ku u përmbyll edhe aktiviteti i USAID-it - Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në Kosovë.

Kryeministri Kurti tha se për qeverinë, reformimi i prokurimit publik është ndër pikat më të rëndësishme në luftimin e korrupsionit dhe parandalimin e keqpërdorimit të parasë publike.

“Në vitet e mëhershme ai përbënte një të tretën e buxhetit, dhe ndonëse volumi i prokurimit mund të jetë më i ulët këtë vit si rezultat i analizimit të shumë tenderëve dhe projekteve gjatë vitit paraprak, vitin tjetër ai mund të rritet me më shumë vepra publike, me çerdhe të reja, me rrugë e infrastrukturë përcjellëse për urbanizimin e qyteteve dhe ringjalljen e fshatrave”, tha ai. 

Prandaj, prokurimi publik, siç tha kryeministri, duhet të jetë i mirë-planifikuar, i mirë-menaxhuar, me mekanizma të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies dhe me zyrtarë profesional me integritet moral.

Kryeministri numëroi tri probleme të cilat, tha se do të trajtohen me përpikëri vitin që vjen: strukturore, ligjore dhe profesionale e funksionale. 

Mosadresimi i këtyre problemeve, sipas tij, do të vazhdonte pasojat tashmë të njohura të korrupsionit: Ritenderim për punët e njëjta për shkak se kualiteti për të cilin ka paguar qytetari me taksat e tij është komprometuar duke kaluar në xhepat e zyrtarëve e të biznesit, pasurim i paligjshëm përmes kontratave të korruptuara, favorizim i bizneseve të lidhura me zyrtarë e pushtetarë të caktuar, ku kemi pasur biznese të oborrit qeveritar.

Kryeministri Kurti ritheksoi se pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, korrupsioni nuk mundet më të jetë i lidhur me nivelin e lartë politik apo me nivelin e lartë të ndërmarrjeve shtetërore, sepse siç u shpreh ai, ne kemi zgjedhur një qeveri me profesionistë, njerëz të mirë-edukuar dhe me integritet të lartë moral.

Nëse e kundërta dëshmohet ju garantoj këtu që masat do të jenë të menjëhershme sepse toleranca ndaj korrupsionit në këtë qeveri është ZERO, shtoi ai. 

Kryeministri përgëzoi dhe falënderoi USAID-in dhe partnerin zbatues për realizimin e projektit Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në Kosovë i njohur si “TEAM”, një projekt ky 5 vjeçar që ka filluar në 2017.

Qëllimi i këtij projekti ishte ngritja e transparencës, llogaridhënies dhe efektivitetit në prokurim publik, si një mjet për përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e besimit të publikut, veçanërisht në nivel komunal.


 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)