03 Shkurt 2023

Rasmusen: Reduktimet e KFOR-it në harmoni me sigurinë

Prishtinë , 21 maj - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, tha se NATO do të pakësoj numrin e trupave në Kosovë. Ai tha se zvogëlimi i trupave do të bëhet varësisht nga vlerësimet politike e ushtarake.

"Varësisht gjendjes politike dhe asaj të sigurisë, KFOR-i mund t'i shkurtojë trupat deri në 5,700, apo deri në 2 mijë ushtarë", ka thënë sot në Prishtinë, sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, Anders Fog Rasmusen. Ai po kryeson një delegacion të lartë të NATO-s, i cili po qëndron në Kosovë. Rasmusen i dha mbështetje vazhdimit të hetimeve nga EULEX-i ndaj rasteve të dyshuara për korrupsion.

Këto komente, Rasmusen i bëri në Shtabin Qendror të KFOR-it në Prishtinë, ku po kryeson vizitën e një delegacioni të Këshillit të Aleancës Veri-Atlantike, në përbërje të të cilit janë edhe kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Xhanpaolo di Paola, dhe komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate të komandës në Napoli, admirali Mark Fitcxherald.

“Kemi realizuar hapin e parë duke shkurtuar numrin e ushtarëve në 10 mijë. Hapi i dytë do të jetë shkurtimi në 5 mijë e 700 trupa ndërsa hapi i tretë parasheh reduktimin deri në 2 mijë ushtarë. Por dua të nënvizoj se ne ende nuk kemi vendosur që të kalojmë në hapat dy dhe tre. Dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës se asnjë hap nuk do të ndërmirret para se të sigurohemi se situata e sigurisë lejon një gjë të tillë. Vendimi mund të merret pas analizave politike dhe ushtarake që ne i bëjmë për situatën e sigurisë në Kosovë”, tha ai.

Me këtë rast numri një i NATO-s, Rasmusen, paralajmëroi shkurtime tjera të trupave të KFOR-it, por ai tha se paraprakisht do të bëhet një vlerësim i gjendjes politike dhe sigurisë.

“Dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës se asnjë hap nuk do të ndërmerret para se të sigurohemi se situata e sigurisë e lejon një gjë të tillë”, tha Rasmunsen.

Sidoqoftë, ai theksoi se, pavarësisht numrit të ushtarëve, NATO do të jetë në Kosovë për aq kohë sa do të ketë nevojë për të.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, numri një i NATO-s foli edhe në lidhje me hetimet që EULEX-i po i bën ndaj disa zyrtarëve të lartë të Kosovës.

Ai tha se i mbështet hetimet për korrupsion dhe krim të organizuar që misioni i EULEX-it është duke i zhvilluar në Kosovë.

“Mendoj se hetimet duhet të vazhdojnë. Duhet të jemi të sigurt se këto aktivitete janë të bazuara në sundimin e ligjit. Njerëzit që shkelin ligjin duhet të dalin para drejtësisë”.

“Në fund të fundit, qytetarët e Kosovës do ta pranojnë se kjo është në dobi të së ardhmes së tyre”, u shpreh Rasmusen, duke rikujtuar se kjo çështje megjithatë u përket, në radhë të parë, organeve hetuese dhe EULEX-it.

Rasmunsen kërkoi nga qytetarët e Kosovës se duhet të mësohen edhe me hetime të ndryshme pasi, siç u shpreh ai, Kosova vetëm kështu mund të ecë përpara.

Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler, tha se për çdo rast eventual të përkeqësimi të situatës së sigurisë, KFOR-i do të jetë këtu që të reagojë.

“Ky proces duhet të kalojë në ambient të qetë dhe të sigurt. Për momentin nuk ka shenja se situata e sigurisë do të përkeqësohet nga veprimet e EULEX-it”.

“Nëse siguria rrezikohet, ne do të reagojmë, por deri tani nuk ka pasur nevojë për një gjë të tillë, pasi procesi është duke vazhduar në mënyrë legale”, tha Bentler.

Rasmusen dhe Bentler dënuan sulmin që i është bërë KFOR-it ditë më parë në veri të Mitrovicës duke e cilësuar atë si një akt individual. Pikërisht veriu i Kosovës, ishte edhe caku i radhës së këtij delegacioni nga Aleanca Veri-atlantike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 shkurt 2023  - Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 9:00)

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë falja e tatimit në pronë në vlerën deri 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune, për vitin 2023. (Salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ora 10:00)

- Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve teknik të Sektorit Privat te Kosovës dhe dialogu me qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës. (Zyrët e Sindikatës, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore, si dhe shqyrton listën e kandidatëve për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekuiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 13:30)

- Prezantohet puna e kryer rreth vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara të cilat kanë folur hapur për historitë e tyre të, abuzimeve seksuale, dhunës fizike, dhunës psikike, keqtrajtimeve, ofendimeve dhe diskriminimeve. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:30)

- Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës organizon marsh kundër Asociacionit, dhe në shënim të 53-vjetorit të themelimit të UP-së. (Biblioteka Kombëtare, ora 16:00)