21 Janar 2022

QIKA mban aksion simbolik lidhur me aktgjykimin seksist të Gjykatës së Gjilanit

Prishtinë, 7 dhjetor - Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) së bashku me disa organizata të tjera feministe organizon aksion simbolik para Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me aktgjykimin seksist të Gjykatës Themelore në Gjilan që shfajësoi pesë burra të akuzuar për përdhunim në grup të një vajze 19 vjeçare në vitin 2012.  

QIKA vlerëson se arsyetimi i gjykatës për këtë vendim është skajshmërisht paragjykues në bazë të gjinisë dhe joprofesional.

Gjykata i arsyeton të akuzuarit për dhunim duke thënë se vajza kishte pranuar të udhëtoj me taksi me të akuzuarin edhe pse ai ishte i gjinisë mashkullore.

Pra për gjykatën, fakti që një vajzë udhëton me taksi me një burrë nënkupton pëlqimin e saj për marrëdhënie seksuale dhe të drejtën e bashkudhëtarit mbi trupin e saj!   

QIKA thekson se kjo nuk është hera e parë që viktimat e dhunimit seksual paragjykohen nga institucionet ku ato kërkojnë drejtësi.

"Andaj për neve është i papranueshëm ky aktgjykim dhe përmes aksionit simbolik do të kërkojmë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të ndërmarrë masa disiplinore ndaj gjykatësve të trupit gjykues të këtij rasti", thekson QIKA.

Menjëherë pas realizimit të aksionit, do të mbahet konferencë për media ku edhe do të prezantohet qëndrimi i QIKA-së karshi kësaj çështjeje.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 janar 2022

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë bën homazhe te varri i Presidentit Historit Ibrahim Rugova, me rastin e 16 vjetorit të vdekjes së tij. (Velani, ora 10:00)

- Për nder të 23 vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit Skender Rexhepi dhe Fitim Duraku Komuna e Rahovecit dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të bëj homazhe dhe nderime te vendi i rënies. (Fortesë, ora 11:00)

- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Zëvendës Ministri i Mbrojtjes Shemsi Syla. (Ambientet e Hotel Sirius, ora 11:00)

- Komuna e Gjilanit organizon Akademi përkujtimore për Presidentin Ibrahim Rugova. (Teatri i qytetit të Gjilanit, ora 14:00)