15 Gusht 2022

Qeveria nderon veprën heroike të policëve që ranë në detyrë

Prishtinë, 27 korrik - Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 21 vite më parë, 21 zyrtarë policorë kanë dhënë jetën në krye të detyrës. Sot u nderua vepra heroike e të gjithë zyrtarëve policorë, burra dhe gra të vendit me vendosjen e pllakës përkujtimore për zyrtarët policorë që ranë duke luftuar krimin e duke mbrojtur territorin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Zbulimin e pllakës përkujtimore në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë, e bënë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Kryeministri Kurti, në fjalën e rastit, tha se Policia e Kosovës është institucion i dalë nga lufta jonë çlirimtare. “Rrënjët e saj, ashtu si ato të ushtrisë sonë, gjenden te lufta çlirimtare dhe te lëvizjet e rezistenca shekullore e popullit tonë për liri. Në vitet e pasluftës, Policia e Kosovës ka qenë një prej institucioneve shtetërore më të rëndësishme për vendosjen e ligjshmërisë, pa të cilën nuk mund të ketë pavarësi e drejtësi“, tha kryeministri.

“Është nder dhe krenari që në dhjetëvjetorin e rënies së Enver Zymberit, jam këtu në mesin tuaj, në ceremoninë e ‘Zbulimit të pllakës përkujtimore në nderim të të gjithë policëve të rënë në krye të detyrës’. Jo rastësisht kemi zgjedhur ditën e rënies së tij për të kujtuar të gjithë policët e rënë në krye të detyrës në Kosovën e çliruar. Enver Zymberi është simbol i sakrificës për integritet territorial e sovranitet shtetëror, për një Kosovë të lirë, demokratike, të pavarur me shtet të drejtës për të gjithë“, tha kryeministri Kurti. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 gusht 2022  - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu  pret me ceremonitë më të larta shtetërore, me rastin e fillimit të mandatit të tij, presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Sheshi “Ibrahim Rugova”, ora 10:00 - Mediat duhet të jenë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më së voni në ora 9:15)

- Komuna e Rahovecit organizon dëgjim publik me organizatat jo qeveritare për buxhetin e vitit 2023 dhe Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitet 2024-2025. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 10:00)

- Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" organizon ceremoninë solemne të hapjes së punimeve të Seminarit XL Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. (Amfiteatri i Bibliotekës Qendrore Universitare, ora 11:00).

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Kabineti i kryetarit, ora 12:15 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni pret sot në takim ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ku më pas do të ketë prononcim për media në Zyrën e Kryetarit. (Gjilan, ora 15:00)

- Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvillon homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova. (Velani, ora 15:45)

- Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvillon homazhe te varrezat e Familjes Jashari. (Kompleksi Memorial  në Prekaz, ora 16:35)

- Në kuadër të Akademisë Verore ‘’Arbën Xhaferi"  mbahet akademi përkujtimore për jetën dhe veprën e Arbën Xhaferit. (Pallati i Kulturës, "Hasan Prishtina", ora 19:30)