18 Qershor 2021

Qeveria gjermane dhuron donacionin e radhës për FSK-në

Prishtinë, 9 qershor - Në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj, sot u mbajte ceremonia e prezantimit të donacionit të qeverisë gjermane dhuruar për FSK-në.

Në ceremoninë përkatëse, ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ku u pritën nga komandantja e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Irfete Spahiu.

Në ceremoni të pranishëm ishin edhe zv.komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Jörg Rüter, komandanti i Komandës së Logjistikës, gjeneral brigade Naim Haziri dhe atasheu gjerman i mbrojtjes për Kosovë, nënkolonel Kai-Uwe Napel.

Me këtë rast, ministri Mehaj falënderoi qeverinë gjermane për donacionin përkatës duke vlerësuar dhe shprehur mirënjohjen e thellë edhe për gjithë mbështetjen  e deritashme në të gjitha fushat për  Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.

 Ai theksoi se bashkëpunimi me Gjermaninë si një ndër partnerët kryesor  në nivel të ministrive të mbrojtjes dhe forcave të dy vendeve do të rritet edhe më tej në fushat e interesit të përbashkët.

Nga ana e tij, ambasadori Rohde, shprehu kënaqësinë  e tij që në emër të qeverisë gjermane dhuron donacionin përkatës duke theksuar se bashkëpunimi në mes dy ministrive do të thellohet edhe më tej si dhe mbështetja nga shteti gjerman do të vazhdoj edhe në të ardhmen.

Në fund nga ana e gjeneral Spahiut dhe nënkolonel Napel u ndanë certifikatat për personelin e specializuar për sistemin e frenimit të automjeteve të FSK-së.

Donacioni përkatës përmban laboratorin e gjuhës gjermane dhe sistemin e frenimit të automjeteve si dhe trajnimin dhe certifikimin e personelit për këtë sistem me vlerën e përgjithshme prej 210 mijë euro.

Kursi në gjuhën gjermane, që zhvillohet prej vitit 2017,  me këtë laborator prej tani do të zhvillohet në kushte bashkëkohore dhe do të mundësoj përgatitjen më të efektshme të stafit gjermano-folës të FSK-së.

Gjithashtu pajisjet e sistemit të frenimit do të mundësojnë flotë të sigurte dhe efektive të automjeteve të FSK-së.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Qershor 2021 - Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Beni Kizolli do të vizitojnë banesat kolektive ku janë përfunduar punimet për renovimin e kulmeve, si dhe ku kanë filluar punimet për lyerjen e korridoreve. (Përballë Qendrës Sportive, ora 10:00)

- Anulohet -  Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mban tryeza e radhës bashkëbisedim me Ministren e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli. (Zyrat e Odës Amerikane në Pejton, ora 10:00)

- Me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, shefi i misionit të UNHCR, Erol Arduc, Drejtuesi i sektorit të bashkëpunimit nga Zyra e BE-së, Luigi Brusa, dhe Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, znj. Ulrika Richardsondo të zbulojn pllaken e përurimit të një pjese të sapo renovuar të Qendrës së Azilit, në Vranidoll të komunës së Prishtinës. (Qendra e Mbajtjes në Fshatin Vranidoll, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me nënkryetaren Memnuna Ajdini do të vizitojnë rajonin e Zhupës, ku do të shohin nga afër projektet e realizuara në këtë rajon. (Rajoni i Zhupës, ora 10:30)

- Kolegji Universum organizon një ligjeratë publike me Alain Le Roy - diplomat francez i cili ka qenë Zv. Sekretar i përgjithshëm i OKB-së, udhëheqës i gjitha operacioneve globale paqeruajtëse të OKB-së në botë, Ambasador i Francës dhe shumë poste tjera të rëndësishme. (Hapësirat e kolegjit Universum në kampusin e Lipjanit, ora 11:00)

- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis e planifikim hapësinor dhe Infrastrukturë shqyrton formimin e grupeve punuese për mbikëqyrjen e ligjeve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 13:00)

- Klubi i Basketbollit Sigal Prishtina mban në konferencë për shtyp rreth më të rejave të klubit. (Pallati i Rinisë dhe Sporteve, ora 14:00)

- Prointegra organizon takim publik ''Kosova në lëvizje - Kontributi i diasporës''. (Online nëpërmjet ZOOM, ora 14:00)