26 Janar 2022

Prokuroria e Prizrenit akuzon 5 persona për falsifikim të parasë

Prizren, 30 nëntor - Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: B.B., T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 296 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., gjatë periudhës së muajit Tetor e deri në fillim të muajit Nëntor të vitit 2021, në Prizren është vërtetuar se i njejti me dashje posedon para të falsifikuara me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta, në atë mënyrë që përgjatë periudhës së lartpërmendur ia shet të pandehurit T.P., 1,250.00 € (Njëmijë e dyqind e pesëdhjetë euro) të gjitha në monedha metalike nga 2 € (dy euro), me qëllim që ky i fundit t’i vë të njëjtat në qarkullim si të vërteta, me ç’rast i pandehuri T.P., pajtohet që t’i blejë të njëjtat për shumën e parave prej 900.00 € (Nëntëqind euro) duke i paguar në mënyra periodike, ashtu që herën e parë për 300.00 € (treqind euro) falso paguan 200.00 € (dyqind euro) origjinale, ndërsa herën e dytë për 400.00 € (Katërqind euro) falso paguan 300.00 € origjinale derisa në herën e tretë për 550.00 € (pesëqind e pesëdhjetë euro) falso paguan 400.00 € (katërqind euro) origjinal ashtu që në total i pandehuri B.B., arrin t’i shes 1,250.00 € (Njëmijë e dyqind e pesëdhjetë euro) falso për 900 Euro.

Ndërsa, të pandehurit T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., gjatë periudhës kohore muaji Tetor deri në fillim të muajit Nëntor të vitit 2021, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në atë mënyrë që në cilësinë e punëtorëve si kamarierë në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren, paratë e falsifikuara të cilat i pandehuri T.P., i kishte siguruar - blerë nga i pandehuri B.B., ia dorëzon kolegëve të tij – të pandehurve: V.Z., L.E., dhe A.P., me qëllim që të njëjtit t’i vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në atë mënyrë që i pandehuri T.P., mban paratë e falsifikuara në veturën e tij të markës ‘’VW Polo’’, e parkuar ne bodrumin e njërës prej Qendrave Tregtare në Prizren, nga e cila veturë më pas iu dorëzon kolegëve të pandehurve: V.Z., L.E., dhe A.P., të gjitha në monedha metalike nga 2 €, të cilat të njëjtit i vënë në qarkullim si të vërteta në drejtim të klientëve të ndryshëm të cilët kanë vizituar lokalin, ku secili prej të pandehurve si shpërblim kanë ndarë nga 25 € (njëzet e pesë euro) origjinale në pjesë të barabarta.

Pas zbatimit të urdhër-kontrollit të Gjykatës nga ana e policisë, arrijnë t’i gjejnë 195 monedha metalike nga 2 € në veturën ‘’VW Polo’’ në pronësi të të pandehurit T.P., dhe një shumë tjetër parash të falsifikuara nga 2 € nëpër kuletat e pazarit ditor të të pandehurve V.Z., L.E., dhe A.P., ku në total, policia arrin të sekuestrojë nga të pandehurit 390.00 € (Treqind e nëntëdhjetë euro) falso.   

Në këtë mënyrë, të pandehurit e lartëcekur kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 296 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.   ​ 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2022

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancën e radhes. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon homazhe dhe nderime për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi, të rënë në Brestoc me 27 janar 1990. (Brestoc, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancën e jashtëzakonshme në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Komuniteti Bektashian i Kosovës Gjyshata Gjakovë organizon ngjarjen përkujtimore për një vjetorin e kalimit nga jeta të ish-Kryetarit të Komunitetit Bektashian të Kosovës, Baba Mumin Lama si dhe 47 vjetorin e kalimit nga jeta të Baba Musa Himaduna, njëkohësisht rivarrimin e tij në tyrben e baballarëve bektashian në Gjakovë. (Ambientet e Teqesë Bektashiane në Gjakovë pranë “Hani i Haraçisë”, ora 11:00)
 
- Komuna e Rahovecit organizon manifestimin përkujtimor e kulturor për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 11:00)

- Me rastin e 30 vjetorit të Shtëpive-Shkolla, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama së bashku me ekipin e tij, do ta vizitoj Muzeun “Shtëpitë-Shkolla” te familja Hertica, shtëpi këto që u shndërruan në shkolla në periudhën e rezistencës mbarë popullore kundër regjimit serb. (Kodra e Trimave, ora 12:00)

- Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë organizon ngjarjen kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila këtë vit i kushtohet shkrimtarit, veprimtarit politik, laureatit të Çmimit Nobel për Paqe dhe të mbijetuarit të Holokaustit, Elie Wiesel.  (Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, ora 12:00)

- Institutit për Politika Zhvillimore mban konferencën lidhur me situatën energjetike në vend. (Zyret e INDEP, ora 14:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 15:00)