11 Gusht 2022

Presidentja Osmani dekoron me Medaljen Presidenciale Ushtarake trupat sllovene në Kosovë

Lubljanë, 4 korrik - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës zyrtare në Slloveni ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake trupat sllovene në kuadër të misionit paqeruajtës të NATOS/KFOR-it në Kosovë.

Ata janë dekoruar me motivacionin për kontributin për paqe dhe siguri në kuadër të misionit të NATO-s në Republikën e Kosovës që nga viti 2000.

 “Sot jam këtu para jush për t`i falënderuar dhe për t`i dekoruar për  kontributin, kurajon dhe shpirtin human, të dëshmuar përgjatë dy dekadave trupat sllovene që kanë shërbyer dhe shërbejnë në Kosovë. Medalja Presidenciale Ushtarake u jepet këtyre ushtarëve, të cilët janë jo vetëm paqeruajtës, por edhe kultivues besnik të marrëdhënieve miqësore të shkëlqyeshme të Kosovës me Slloveninë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, secili nga 9417 paqeruajtësit sllovenë sa kanë shërbyer përgjatë dy dekadave në Kosovë, ka një kontribut të veçantë për paqen dhe stabilitetin, ndaj do të mbahen mend përgjithnjë nga populli i Kosovës, të cilëve u mbetemi përherë mirënjohës.

Në këtë ceremoni, Presidentja Osmani ka theksuar se prej Sllovenisë, çështja e Kosovës mori një mbështetje të fuqishme ndër vite, ndaj kërkoi që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në procesin e anëtarësimi të Kosovës në NATO.

“Kam besimin e plotë se ushtria jonë mund të përfitojë shumë nga përvoja e ushtrisë suaj. Unë dëshiroj që përveç bashkëpunimit në fushën ushtarake, në një të ardhme të afërt forcat tona t`i shoh krahas forcave tuaja në NATO. Kjo aleancë është synim i yni dhe interes strategjik”, ka theksuar Presidentja Osmani në ceremoninë e dekorimit të paqeruajtësve sllovenë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 gusht 2022

- Handikos organizon ceremoninë e shpërndarjes së 70 karrocave për personat me aftësi të kufizuara, donacion nga Izraeli, ku do të marrin pjesë ambasadorja e Izraelit, znj. Tammy Ziv, ministrja e Ministrisë për Punë të Jashtme dhe Diasporë,  znj. Donika Gërvalla dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. (Qendra e Resurseve për Personat me Aftësi të Kufizuara Adresa: Veternik, ora 10:00)

- Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës mban konferencë për media. (Selia qendrore e Vetëvendosjes, ora 11:00)

- Në qytetin e Vushtrrisë organizohet Akademia Verore "Arbën Xhaferi‘’ edicioni i II-të. (Kalaja e Vjetër të Vushtrrisë, ora 17:00)