01 Shkurt 2023

Presidentja Osmani bëri homazhe te memoriali i Masakrës së Lybeniqit

Prishtinë, 1 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri bënë sot homazhe dhe vendosën kurorë me lule në 23 vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe martirëve në Lybeniq të Pejës.

Presidentja Osmani tha se sakrifica e martirëve dhe dëshmorëve të Lybeniqit ka bërë që ne sot ta gëzojmë aspiratën tonë shekullore për liri.

“Këtyre njerëzve që kanë dhënë gjithçka deri në më të shtrenjtën e tyre, pra, jetën e tyre u kemi borxh gjithçka sepse asnjëherë ne nuk do të mund ta shijonim lirinë, asnjëherë nuk do të mund ta arrinim pavarësinë në qoftë se ata nuk do ta jepnin jetën për të”, tha Presidentja Osmani, duke shtuar se sot ka takuar shumë familjar që kanë humbur më të dashurit e tyre, e disa e kanë humbur gjithë familjen.

“U kemi borxh për tërë jetën, por në të njëjtën kohë, është obligim i yni institucional që asnjëherë mos t’i ndalim përpjekjet tona për drejtësi. Në këtë masakër, sikurse edhe në çdo tjetër që regjimi gjenocidal i Serbisë ka kryer ndaj popullatës së pafajshme, civile në Kosovë, por edhe gjithë dëshmorët që kanë rënë, dëshmojnë se sa barbare ka qenë lufta e shtetit serb ndaj popullit të Kosovës”, tha Presidentja Osmani.

Ajo tha masakra e Lybeniqit është dëshmi e qartë e qëllimit shfarosës që regjimi i Millosheviqit që kishte ndaj popullit të Kosovës. “Nuk duhet të ndalemi ditë pas dite dhe të punojmë pareshtur të gjithë bashkërisht, pa dallim, në mënyrë që gjaku i tyre mos të shkoj huq dhe në mënyrë që kryerësit e këtyre veprave makabre, kryerësit e gjenocidit të dalin para drejtësisë”, përfundoi Osmani.


  

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 shkurt 2023

- Ndërmarrja Publike Banesore, qiramarrësit, punëtorët e lokaleve dhe qytetarë të tjerë protestojnë për rritjen e çmimit të qirasë për lokalet në Prishtinë.  (Komuna e vjetër e Prishtinës, ora 9:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, formon grupin punues për hartimin e planit të punës së komisionit për vitin 2023. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 9:30)
 
- Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca do të shpalos gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të auditimit: “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012-2021”, si dhe “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga donatorët për vitin 2021”. (Ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, ora 11:00)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, formon grupin punues për hartimin e planit të punës së komisionit për vitin 2023. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 11:30)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)